FC Ballkani përballë Shamrock Rovers më 7 gusht në Prishtinë – synohet fitore në shtëpi
Ekipi kampion nga Suhareka, FC Ballkani, do të zhvillojë ndeshjen e parë të turit të tretë kualifikues në Ligën e Konferencës, të enjten më 7 gusht 2025, me fillim nga ora 20:30, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Pasi eliminoi skuadrën malteze Floriana me rezultat të përgjithshëm 5-3 në raundin e kaluar, Ballkani tashmë përballet me një sfidë më të madhe: Shamrock Rovers, klubi më i suksesshëm i futbollit në Irlandë.
UEFA ka deleguar një ekip gjyqtarësh nga Ukraina për këtë përballje:
- Gjyqtar kryesor: Dmytro Panchyshyn
- Asistentë: Oleksii Myronov dhe Volodymyr Vysotskyi
- Gjyqtar i katërt: Klym Zabroda
- Sistemi VAR: Mykola Balakin
- AVAR: Denys Shurman
Të gjithë zyrtarët janë me përvojë në ndeshje ndërkombëtare dhe pritet të sigurojnë një drejtim të drejtë dhe profesional të takimit.
Skuadra e Ballkanit, është në përgatitje intensive për këtë duel evropian. Klubi nga Suhareka synon që të marrë një rezultat pozitiv në shtëpi, që do t’i hapte rrugë më të lehtë për kualifikim në ndeshjen e kthimit në Irlandë.
Mbështetja e tifozëve në “Fadil Vokrri” pritet të jetë e madhe, teksa Ballkani kërkon të vazhdojë rrugëtimin e tij në arenën ndërkombëtare, duke përfaqësuar me krenari jo vetëm Suharekën, por gjithë futbollin kosovar.