Drita mëson rivalin e mundshëm në raundin e dytë të Champions League
Pas një sezoni të shkëlqyer, ku u shpall kampione e Kosovës për herë të katërt në histori, skuadra e Dritës është e gatshme të përballet me sfidat e reja në arenën evropiane.
Foto: Ilustrim
Ekipi nga Gjilani, i drejtuar nga trajneri Zekirija Ramadani, do të rikthehet në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, me synimin për të lënë gjurmë jashtë kufijve të Kosovës.
Në fazën e parë kualifikuese të kësaj gare prestigjioze, Drita do të përballet me kampionen e Luksemburgut, Differdange. Një sfidë që pritet të jetë e vështirë, por aspak e pamundur për skuadrën gjilanase, e cila synon kalimin në raundin tjetër dhe një paraqitje dinjitoze.
Nëse arrin të kualifikohet, Drita do të ketë përballë një kundërshtar shumë më të fortë në fazën e dytë: kampionen e Danimarkës, FC Copenhagen – një skuadër me përvojë të madhe në garat evropiane dhe me një histori të pasur në Ligën e Kampionëve.
Në rast se eliminohet në këtë fazë, Drita nuk do të ndalojë rrugëtimin evropian, pasi do të kalojë automatikisht në rrethin e tretë të kualifikimeve për Ligën e Evropës. Aty, ajo do të jetë në vazon jobartëse dhe mund të përballet me një nga humbësit e çifteve si më poshtë:
- Rijeka – Ludogorets
- Zalgiris – Dynamo Kyiv
- Pafos – Maccabi Tel Aviv
- RFS – Malmö
- Zrinjski – Slovan Bratislava
- KuPS – Olimpija Ljubljana