Pavarësisht pandemisë, bizneset e Suharekës po “korrin” suksese në tregun evropian

Pavarësisht pandemisë, bizneset e Suharekës po “korrin” suksese në tregun evropian
Herolind Bytyçi

09.04.2021 / Suhareka

Është tejet e vështirë për një biznes që vepron në shtetin pothuajse më të izoluar në botë siç llogaritet Kosova të zgjerojë dhe plasojë gamën e tij të produkteve në tregun evropian dhe botëror.

Edhe më të vështirë e bënë situata e krijuar nga pandemia COVID-19, ku zhvillimi ekonomik në tërë botën ka shënuar ngecje.

Megjithë këto vështirësi disa nga produktet që prodhohen në Kosovë kanë arritur dhe po depërtojnë në vendet evropiane dhe botërore.

Kushtet e vështira financiare, paragjykimet në cilësinë e këtyre artikujve, por edhe mosliberalizimin i vizave për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirshëm në vendete Bashkimit Evropian, janë disa nga arsyet, që importi vazhdon të dominojë dukshëm nga eksporti, shkruan SuharekaOnline.

Në mesin e shumë kompanive kosovare është edhe një numër i madh i kompanive nga Suhareka që me sukses kanë depërtuar në tregun e jashtëm dhe produktet e tyre kanë pushtuar tregun ndërkombëtar.

Kompania për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka, më shumë se një dekadë ka arritur që produktet e saj t’i eksportojë në shumicën e vendeve të rajonit, saktësisht në afër 50 vende të botës.

Edhe kompania për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” ka vite që ka arritur të depërtojë në tregje të ndryshme të Evropës dhe botës.

Gjithashtu edhe Fabrika e Mobileve “TE NASERI” ka disa vite që produktet e saj po i eksporton në vende të ndryshme të Evropës si Gjermani, Zvicër, Itali, Austri.

Në tregun ndërkombëtar gjenden edhe llaqet dhe produktet e ndërmarrjes “Dekorfix” ku kryesisht kjo ndërmarrje ka filluar eksportin në shtetin e Sllovenisë dhe Gjermanisë.

Një sukses i tillë nuk i ka munguar as fabrikës për prodhimin e dyerve dhe dritareve, “Muri Plast” e cila po tregon sukses në tregun zviceran dhe atë gjerman.

RAPORTO