Ministria e Ekonomisë, 133 familje nga Suhareka përfituan grante prej 3800 euro për të izoluar shtëpitë e tyre
Komuna e Suharekës po përjeton një zhvillim të shpejtë në infrastrukturë dhe shërbime, falë investimeve të konsiderueshme të Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Ekonomisë.
Kryetari i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Suharekë, Jetmir Durmishi, ka vlerësuar lartë këto investime, duke theksuar se qeveria po punon për të përmirësuar jetën e qytetarëve në të gjithë vendin.
Një nga investimet më të rëndësishme është lidhja e 10 shkollave me internet të shpejtë dhe me Rrjetin Kosovar për Edukim e Hulumtim (KREN). Ky investim prej 107,698 euro do të ndihmojë në përmirësimin e procesit mësimor dhe në hapjen e mundësive të reja për nxënës.
Gjithashtu, Ministria e Ekonomisë ka përkrahur 133 familje me nga 3800 euro nga Suhareka me grante për të izoluar shtëpitë e tyre, duke kontribuar në kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit.
Telekomi i Kosovës ka mbuluar Suharekën me rrjet 5G dhe zonat rurale përreth me 4G+, duke siguruar një lidhje më të mirë internet për të gjithë qytetarët.
Në fushën e infrastrukturës ujësjellëse, Ministria e Ekonomisë ka investuar 102.996 euro në fshatin Bllacë, duke lidhur 600 konsumatorë me rrjetin e ujit të pijshëm.
Komuna e Suharekës ka përfituar gjithashtu nga Fondi i Kosovës për Efiçience të Energjisë për të përmirësuar efikasitetin energjetik në tre shkolla.
Ministria e Ekonomisë ka mbështetur qindra qytetarë për të instaluar sisteme të ndryshme ngrohjeje dhe ftohje më efikase energjetike, siç janë pompët termike, kondicionerët, kaldajat me biomasë dhe stufat individuale me biomasë.
Këto investime tregojnë angazhimin e qeverisë për të ndërtuar një Kosovë më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme, duke u fokusuar në energjinë e rinovueshme dhe në teknologjitë e reja.
“Qeveria për të gjithë”, ka shkruar Jetmir Durmishi, duke theksuar se këto investime do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Suharekës.