Dita kombëtare e personave të zhdukur, dëshmitë e disa të mbijetuarëve nga masakra në Tërrnje të Suharekës
Kanë kaluar 23 vite që kur forcat paramilitare serbe u futën në fshatin Tërrnje në orët hershme të mëngjesit ku i masakruan 46 martirë. Disa prej të masakruarve ishin edhe mysafirë nga fshatrat si: Studençan, Randobravë ku ishin strehuar tek shtëpitë e fshatit Tërrnje. Në këtë masakër makabër kishin mbetur të vdekur shumë gra, pleqë, […]
Kanë kaluar 23 vite që kur forcat paramilitare serbe u futën në fshatin Tërrnje në orët hershme të mëngjesit ku i masakruan 46 martirë.
Disa prej të masakruarve ishin edhe mysafirë nga fshatrat si: Studençan, Randobravë ku ishin strehuar tek shtëpitë e fshatit Tërrnje.
Në këtë masakër makabër kishin mbetur të vdekur shumë gra, pleqë, burra e fëmijë, ku prej tyre 22 martirë ishin nga familja Gashi dhe të tjerët ishin mysafirë e shumë familje të tjera të këtij fshati si: Voci, Muhaxheri, Llapatinca, Balaj, Vranovci, Rexhaj, Krasniqi etj.
Vetëm nga Familja Gashi ishin vrarë 22 anëtarë, prej të cilëve 14 kufoma ende janë të pagjetur, shkruan SuharekaOnline.
Njëri nga familjarët e të vrarëve, Bekim Gashi në emisionin ”Dëshmitë e Heshtura” me autor dhe moderator Nusret Pllana, ka rrëfyer ngjarjen e 25 marsit të vitit 1999, ku edhe humbi nënën e tij Hyrën 54 vjeçe si dhe katër motrat Luljetën (31 vjeçare), Selvetën (29 vjeçare), Lumturijen (17 vjeçare) dhe Blertën (15 vjeçare).
”Rasti ka ndodhur më 25 mars, 1999, diku rreth orës 06:00 të mëngjesit, atë ditë kam qenë me nënën dhe 4 motrat në shtëpi, pas insistimit të nënës dhe motrave unë kam dal nga shtëpia ku edhe kam shku tek mixha, Bajrami, ndërsa nëna dhe motrat kanë shku tek mixha i madh, Muslia. Atë ditë në lagjën tonë janë vra 35 persona, 22 nga familja Gashi në mesin e tyre nëna dhe 4 motrat, të tjerët kanë qenë mysafir nga fshati Studençan, 3 kanë qenë nga familja Voci si dhe një i familjes Krasniqi” ka thënë Gashi.
Ai poashtu ka rrëfyer edhe fillimet e gjuajtjeve nga forcat serbe, ku ka thënë se ata fillimisht kanë gjuajtur një granatë në kulmin e shtëpisë ku ishte familja Gashi.
”Ne ku kemi qenë në atë shtëpinë aty, kanë gjuajtur fillimisht një granatë, e cila e ka dëmtu gjysmën e kulmint të shtëpisë, ne kemi qëndru brenda kemi pritë, kanë hyrë në oborr pastaj ushtria e rregullt kanë filluar me i kallë gjë sendet në oborr, traktora, vetura.. Edhe ne kemi pritë deri kur të hyjnë brenda me na nxjerrë edhe me na ekzekutu jashtë. Në oborrin e mixhës Bajram kanë qenë dy shtëpia, njërën në të cilën kanë nejt gratë dhe tjetrën kemi qenë ne, 11 burra, edhe fëmijët në shtëpinë tjetër, aty kur ka ardhë ushtari e ka pytë komandantin e tij çfarë me bë këtu, e që më kujtohet fortë mirë, ku i ka thënë gjuaj bombë edhe e ka gju një bombë në koridor, e ka hek derën e koridorit dhe dhomës ku kemi qëndru ne, e cila u mbush me tymë. Disa ushtarë janë ndarë nga shtëpia e tjetër ku kanë qenë gratë aty, ku fillimisht është plagos Shemsija, gruaja e djalit të mixhës edhe Votimi, ku nga plagët edhe kanë vdekë, ata janë bartë prapa shtëpisë ku ka qenë familja e djalit të mixhës Shabanit i cili ka qenë me mysafirë, ata kanë qenë duke ik në drejtim të lumit edhe pastaj kanë gjujt nga ata edhe aty ne kemi shpëtu, sepse u hutuan pas atyre, pastaj ne kemi hyp në kulmin e shtëpisë lartë edhe kemi vëzhgu. Nëna ka qenë më largë turmës, është qu në këmbë ka qenë e plagosur, djali mixhës, Ismeti i cili ka vdek pas luftës edhe Nexhati, poashtu edhe djali i djalit mixhës Fisniku ka qenë i plagosur, nëna vazhdimisht ka lypë ujë, po….” ka shtuar Bekim Gashi, i mbijetuari nga masakra në Tërrnje të Suharekës.
Ai poashtu ka treguar se gjatë këtyre 22 viteve nuk është ndalur asnjëherë duke i kërkuar nënën e tij Hyrën dhe katër motrat të cilat poashtu ende janë të pagjetura, ku ka shtuar se në çdo varrezë që është hap ai ka qenë i pranishëm.
Gashi thotë se në vitin 2002, kur Slobodan Millosheviq është gjykuar në Hagë, ka dëshmuar për dy ushtarë nga Mali i Zi të cilët kanë qenë boshnjak, të cilët edhe kanë thënë se nuk po mund të rezistojnë më dhe nuk po ndjehen të qetë nga britmat e fëmijëve të cilët i kanë vrarë, ku edhe kanë treguar nga kush kanë pasur urdhër.
Ai thotë se pas kësaj është drejtuar në një zyre të Hagës e cila ka qenë në Prishtinë, të cilët i kanë thënë se rastin do ta marrin në prioritet, duke i ftuar të dyshuarit, të cilët janë intervistuar nga Haga, nga e cila Gashit i kanë thënë se nuk mund të trajtojnë secilin rast.
Ndërsa, në vitin 2008 Gashi ka bërë padi për komplet zingjirin komandues të cilët kanë qenë vrasës të familjës së tij, ai ka thënë se nga viti 2008 deri më 2013 nuk ka pasur asnjë informacion se a është caktuar ndonjë prokuror i cili do të merret me rastin. Në vitin 2013 një zyrtare (përkthyese shqiptare) nga EULEX e ka kontaktuar Gashin e cila e ka pyetur a jeni të gatshëm të jepni dëshmi, pasi që do të ketë prokurorë nga Beogradi së bashku me atë të EULEX-it, sepse duhet të merren deklaratat e juaja për të parë se a ka dëshmi të mjaftueshme për të hapur aktkuzën dhe pas 3 muajsh nga intervistimi i të mbijetuarve është ngritur aktakuza.
Bekim Gashi nga fshati Tërrnje në Suharekë, tregon se përgjatë të gjithë këtij rrugëtimi ai nuk është mbështetur nga shteti i Kosovës dhe i vetëm ka arritur që për 31 familjarë të vrarë, të bind gjykatën që të arrestoj një person i cili u dënua me burgim për 15 vite.
Ndërsa, e mbijetuara e kësaj masakre, Hamide Gashi ka rrëfyer mometet e vështira të asaj dite, të cilat kanë qenë të shumta.
”Fëmijët bërtisnin shumë, kunata Shemsija ka dal me iu marrë diçka për me ngrënë, ku edhe ka fol me ushtarët serbë, po se nuk ka mundur të na tregoj neve se çfarë kanë fol, ndërsa një ushtarë ka gjuajtur në drejtimin tonë dhe i ka thënë kunatës me dal të gjithë jashtë po nuk ka mundur që të na tregoj,… Unë e kam shti djalin tim Votimin prapa shporetit, për të shpëtuar, por ai ka dal, e së bashku me kunatën dhe vajzën e kunatës të tre të plagosur, djali im Votimi ka jetu edhe një orë, ndërsa kunata Shemsija ka vdek pas 15 minutash” ka thënë Hamide Gashi, e mbijetuar nga masakra në Tërrnje.
Edhe Adelina Gashi e mbijetuar nga kjo masakër ka treguar se gruaja e agjës së saj Shemsija dhe Votimi janë plagosur me plumba të armëve të gjata, ku thotë se Shemsija është vrarë me 6 plumba, ndërsa Votimi është qëlluar vetëm me një plumb, por që e ka pas shumë plagën e madhe në mushkri.
Xhyla Gashi, poashtu një tjetër e mbijetuar nga kjo masakër në të cilën e ka humbur burrin e saj Shaban Gashin dhe vajzën e saj Besartën (13 vjeçare), vjehrrën e saj Bahrije ( rreth 50 vjeçare), kunatin e saj Hamzi Gashin, kunatën (motra e burrit) Ajmane Gashi, ka rrëfyer ngjarjen se si ka ndodhur të cilën e ka parë nga afër.
Dënimin e njërit nga të dyshuarve Xhyla Gashi e quan të tmerrshëm dhe nuk është asgjë për të si familjare, vetëm se ia kanë përtrirë mërzinë e saj, ku thotë se e gjitha kjo ka qenë lojë me ndjenjat e tyre.
Ajo ka treguar se pas tre muajsh i kanë gjetur disa nga të vrarët, në Brezne të Opojës në thellsinë e një mali, në kufijë me Shqipërinë.