Deri kur ka të drejtë të mblidhet dhe të marr vendime asamblea komunale?
Më 12 tetor, qytetarët e Kosovës do të dalin në kutitë e votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në asambletë komunale dhe për të votuar kryetarët e rinj të komunave.
Asambleja komunale, si organi më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës në nivel lokal, zgjidhet me mandat katërvjeçar. Gjatë kësaj periudhe, asambleistët kanë përgjegjësi të rëndësishme, duke filluar nga miratimi i buxhetit dhe planeve zhvillimore, deri te rregulloret komunale dhe përfaqësimi i interesave të qytetarëve. Mandati i tyre fillon nga dita e certifikimit të rezultateve dhe përfundon vetëm kur asambleja e re konstituohet. Kjo do të thotë se edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, asambleja aktuale vazhdon funksionin e saj deri në betimin e përfaqësuesve të rinj. Sipas avokatit të Komunës së Suharekës, Avni Bytyqi, kjo çështje është e rregulluar me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, i cili garanton vazhdimësinë e organeve deri në konstituimin e atyre të reja.
Edhe kryetarët e komunave zgjidhen për një mandat katërvjeçar. Ata janë bartës të ekzekutivit komunal, përgjegjës për zbatimin e vendimeve të asamblesë, menaxhimin e administratës komunale dhe shërbimeve publike, zhvillimin ekonomik lokal dhe përfaqësimin e komunës para institucioneve tjera. Mandati i tyre, ashtu si ai i asambleistëve, nis pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe vazhdon deri në zgjedhjet pasuese.