Tre lojtarë të Ballkanit në Formacionin e Vitit – Serebe shpallet golashënuesi më i mirë

22.12.2025

FC Ballkani ka shkëlqyer në gala mbrëmjen e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), ku u shpallën laureatët e vitit 2025, duke konfirmuar edhe një herë dominimin e klubit suharekas në futbollin kosovar.

Në Formacionin më të Mirë të Vitit në Kosovë janë përfshirë tre emra të rëndësishëm të Ballkanit: kapiteni Bajram Jashanica, sulmuesi anësor Walid Hamidi dhe ish-sulmuesi i klubit, Sunday Adetunji. Kjo përbën një njohje të merituar për paraqitjet e tyre të shkëlqyera dhe kontributin e vazhdueshëm gjatë vitit.

Po ashtu, një tjetër sukses i madh për Ballkanin ishte shpallja e Valentin Serebes si golashënuesi më i mirë i vitit 2025. Ai u nderua gjatë të njëjtës gala mbrëmje të FFK-së, falë golave vendimtarë dhe performancave të jashtëzakonshme në fushë.

Me kontributin e tij të drejtpërdrejtë, Serebe ka ndihmuar ekipin që të arrijë suksese të mëdha gjatë këtij viti, duke kurorëzuar punën e skuadrës edhe me titullin e kampionit vjeshtor për sezonin 2025/2026.

Këto vlerësime individuale dhe ekipore dëshmojnë formën e lartë të FC Ballkanit dhe përkushtimin e lojtarëve e stafit drejt objektivave madhore në futbollin vendor.