Trajneri i Kombëtares së Kosovës: Duhet ta ndryshojmë mentalitetin për të bërë progres

30.08.2021

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes është paraqitur sot në konferencën e parë për media para tri ndeshjeve të muajit shtator kundër Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës, që zhvillohen më 2, 5 dhe 8 shtator. Fokusin e tij në këtë paraqitje para mediave përzgjedhësi Challandes e ka vendosur tek domosdoshmëria që Dardanët ta ndërrojnë mentalitetin. […]

Trajneri i Kombëtares së Kosovës: Duhet ta ndryshojmë mentalitetin për të bërë progres Foto: Ilustrim

Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes është paraqitur sot në konferencën e parë për media para tri ndeshjeve të muajit shtator kundër Gjeorgjisë, Greqisë dhe Spanjës, që zhvillohen më 2, 5 dhe 8 shtator.

Fokusin e tij në këtë paraqitje para mediave përzgjedhësi Challandes e ka vendosur tek domosdoshmëria që Dardanët ta ndërrojnë mentalitetin.

“Në tri ditët e ardhshme do të kemi tri ndeshje të vështira dhe interesante. Nuk mund të them se për ne është fillimi i një fushate të re, pasi kemi luajtur dy ndeshje. Por, mund të them se është fillim i ri, pasi kemi pasur një periudhë të suksesshme dhe të pasuksesshme. Për mua, është koha që të rindërtojmë një ekip të fortë. Nuk kemi qenë në Evropian, por duhet të marrim mësime nga ky turne. Ka ardhur koha të krijojmë një skuadër që ka vlera sikurse më herët. Është koha që të kemi një mentalitet të fortë dhe të duhur për Kosovë.

Fatkeqësisht, nuk është koha për një situatë të tillë, pasi kemi disa telashe me futbollistë. Edhe pse nuk është koha e duhur për këtë, por është koha të japim një reagim. Kemi përcjellë Evropianin dhe kemi pasur mundësi të shohim gjëra të rëndësishme. Nuk kanë të bëjnë me aspektin fizik e as taktik, por me mentalitetin.

Është koha që Kosova menjëherë ta ndryshoj mentalitetin dhe nëse këtë nuk e bën prej ndeshjes së ardhshme, do të kemi sërish probleme. Kjo nënkupton se unë menjëherë do të flas sonte me ekipin se duhet ta ndryshojmë mentalitetin tonë, pasi ky është fokusi im gjatë këtij grumbullimi”, ka thënë Challandes.

Ai tutje ka thënë se qëllimi i tij është progresi i ekipit.

“Nuk e kam mendjen te kualifikimi në Kampionatin Botëror, por te progresi i ekipit. Tani në mendjen time është vetëm ndeshje me Gjeorgjinë dhe duhet të reagojmë për të dëshmuar se kemi bërë progres. Sa i përket mentalitetit, ky është ndryshimi i parë që na duhet.

Ka tri vite që jam në krye të Kosovës dhe është e qartë që jam i pakënaqur në këtë aspekt, dhe për këtë arsye jam fokusuar te ndryshimi i mentalitetit. Falë mentalitetit, edhe Italia arriti të triumfoj në Evropian pas dështimit në Botërorin e Rusisë. Mancini ndryshimin e parë në ekip që e ka bërë ishte ndryshimi i mentalitetit”, ka shtuar Challandes.