Shala i Flamurtarit paralajmëron rivalët e tjerë pasi që e mposhtën FC Ballkanin
Pas përfundimit të fazës së dytë, tani do të fillojë faza e tretë e Superligës së Kosovës në futboll. Deri në fund kanë mbetur edhe 11 ndeshje, edhe 33 pikë të mundshme dhe gjithçka është e paqartë në luftë për titullin e kampionit po ashtu edhe për ekzistencë. Katër skuadra janë në garë të ashpër […]
Pas përfundimit të fazës së dytë, tani do të fillojë faza e tretë e Superligës së Kosovës në futboll. Deri në fund kanë mbetur edhe 11 ndeshje, edhe 33 pikë të mundshme dhe gjithçka është e paqartë në luftë për titullin e kampionit po ashtu edhe për ekzistencë.
Katër skuadra janë në garë të ashpër për titull, Ballkani (44 pikë), Drita (43), Gjilani (41), Prishtina (41), ndërsa për ekzistencë fyt për fyti luftojnë: Drenica që renditet në pozitën e shtatë me 30 pikë, Flamurtari (28), Trepça ’89 (26), Ferizaj (25), por të qetë nuk do të jenë as skuadrat, si Feronikeli dhe Llapi që zënë vendin e pestë përkatësisht të gjashtë me nga 34 pikë!
Flamurtari i Prishtinës është i trimëruar pas triumfit me rezultat 2:1 kundër Ballkanit, duke u ngjitur në pozitën e tetë dhe shpresojnë se do të arrijnë të janë edhe më lartë në renditje. Në klubin kuqezi po bëhet një punë e madhe nga kryetrajneri Sunaj Keçi dhe nga gjithë stafi, me synime që të vazhdojnë me rezultate të mira në javët e ardhshme, që të grumbullojnë pikët e duhura për mbetjen në shoqërinë e më të mirëve.
Mesfushori ofensivë Bashkim Shala, që realizoi për “flamurtarët” ndaj Ballkanit, tha se është një atmosferë e shkëlqyeshme brenda klubit, që iu jep edhe më shumë forcë për në vazhdim të kampionatit për të vazhduar rrugën e rezultateve të mira.
Në pranverë kuqezinjtë kanë një ecuri të mirë, nga pesë ndeshje fituan 9 pikë. Ata e mundën me 4:3 Trepçën ’89, pësuan humbje si mysafirë nga Gjilani me rezultat 2:0. Në Prishtinë e mposhtën Vushtrrinë me 2:0, ndërsa në udhëtim humbën me 3:1 nga Drenica dhe si vendas fituan me 2:1 në përballje me Ballkanin. Tri ndeshje si vendas të gjitha fitore, një bilanc i qind për qindtë, por asnjë s’e fituan si mysafirë.
“Kalendari i kësaj faze është i vështirë por ne e treguam edhe lojën me Ballkanin që kemi potencial t’i mundim edhe ekipet që luftojnë për titull. Besoj që edhe me Dritën edhe me Ballkanin do të mundohemi maksimalisht për rezultat pozitiv”, ka deklaruar Shala për “Bota Sot”.
Kujtojmë që Flamurtari do të përballet me Dritën në udhëtim në kuadër të xhiros së 23-të në Superligë.