Dion Gallapeni nga Suhareka nënshkruan me klubin polak Widzew Lodz

30.06.2025

Suhareka vazhdon të prodhojë talente të mëdhenj në futboll, dhe më i riu që po bën emër në arenën ndërkombëtare është Dion Gallapeni.

Mbrojtësi 20-vjeçar, që sezonin e kaluar shkëlqeu me fanellën e Prishtinës, ka kompletuar një transferim të rëndësishëm në Poloni, te klubi historik Widzew Lodz, që garon në Ekstraklasa, liga më e lartë polake.

Në klubin e ri, Gallapeni do të luajë përkrah Juljan Shehut, mesfushorit të Kombëtares Shqiptare, ndërsa ka nënshkruar një kontratë katërvjeçare, duke u bërë një nga të rinjtë më premtues të futbollit kosovar që bën hapin drejt një niveli më të lartë.

Gjatë sezonit të fundit, Dion Gallapeni ishte një nga shtyllat e skuadrës së Prishtinës. Ai regjistroi 37 paraqitje, duke shënuar 5 gola dhe dhënë 8 asiste, ndërsa ndihmoi ekipin të fitonte Kupën e Kosovës.

Pas zyrtarizimit të kalimit në Poloni, mbrojtësi nga Suhareka ka folur për emocionet e këtij hapi të madh në karrierën e tij:

“Ky është një hap i rëndësishëm në karrierën time dhe jam i lumtur që bëra këtë zgjedhje. Widzew është një klub me tradita të shkëlqyera, një numër të madh tifozësh të çmendur dhe një projekt ekipor që është një shans për zhvillim të mëtejshëm. Kur mora ofertën nga Widzew Łódź, fola me Kreshnik Hajrizin, ndër të tjerë, i cili luajti këtu së fundmi dhe më tha se do të ishte një lëvizje e mirë për mua,” tha Gallapeni.

Ky transferim jo vetëm që përfaqëson një arritje personale për Gallapenin, por është edhe një krenari për Suharekën, që vazhdon të jetë djep i talenteve të reja në futbollin kosovar.