Ballkani kryeson tabelën e Superligës, Prishtina thellohet në krizë

21.02.2022

Dje janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në derbin e javës kundër Prishtinës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është mbyllur me rezultat 2:0, në të mirë të skuadrës nga Suhareka. Kjo fitore ia mundësoi Ballkanit […]

Ballkani kryeson tabelën e Superligës, Prishtina thellohet në krizë Foto: Ilustrim

Dje janë zhvilluar tri ndeshjet e fundit të javës së 20-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në derbin e javës kundër Prishtinës. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është mbyllur me rezultat 2:0, në të mirë të skuadrës nga Suhareka.

Kjo fitore ia mundësoi Ballkanit që të ngjitet në vendin e parë me 39 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në pozitën e dytë. Të dy golat skuadra e drejtuar nga trajneri Ilir Daja i realizoi në minutat shtesë. Ermal Krasniqi realizoi nga penalltia, kurse më pas Mevlan Zeka e vendosi rezultatin përfundimtar pas një kundërsulmi të shpejtë.

Prishtina pati mundësi për të shënuar në minutën e 57-të, por Besnik Krasniqi nuk u tregua i saktë nga penalltia. Të dyja skuadrat e mbyllën ndeshjen me nga një lojtar më pak në fushë pas përjashtimit të Lumbard Dellovës (56’), përkatësisht Otto John (70’).

Ndërkohë, Gjilani ka shënuar fitore të pritur në duel me Feronikelin në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, me rezultat 3:1. Blerim Krasniqi (9’), Arbër Prekazi (80’) dhe Edison Kqiku (82’) realizuan golat për gjilanasit, derisa golin e nderit për Feronikelin, i cili edhe në këtë ndeshje u paraqit me junior, e realizoi Ibrahim Cervadiku.

Fitore të rëndësishme ka shënuar edhe Drenica, e cila e ka mundur Dukagjinin në Klinë, me rezultat 2:1. Të dy golat kuqezinjtë e Skenderajt i realizuan në pjesën e parë nëpërmjet Baton Zabërgjës (5’) dhe Armend Abazit (44’). Ndërkaq, golin e vetëm për Dukagjinin e realizoi Donart Hasanaj.

Pas fitores së djeshme ndaj Prishtinës, Ballkani ka marrë primatin, falë edhe gabimit nga Drita, e cila barazoi dje me Llapin.

Pas 20 xhirove, ekipi nga Suhareka prin në tabelë me 39 pikë, aq sa ka edhe Gjilani në vendin e dytë.

Menjëherë pas tyre vjen Drita që ka 38 gjithsej, një më pak se dy liderët e elitës së futbollit kosovar.

Ndërkohë, Llapi gjithashtu po shpreson për titull pasi gjendet gjashtë pikë larg dy kryesuesve, 33.

Në vendin e pestë tani gjendet Drenica e cila ka 27 pikë dhe është e relaksuar në mesin e tabelës, duke mos qenë e rrezikuar për rënie nga elita.

Por, e rrezikuar tani është kampionia në fuqi e Kosovës, Prishtina. “Bardhekaltrit” tani gjenden në vendin e gjashtë me 24 pikë, vetëm pesë më shumë se zona e rrezikshme.

Pas Prishtinës vjen Malisheva me 23 pikë në vendin e shtatë. Ulpiana gjendet e teta në zonën e play-outit me 19 pikë, kurse një më pak në vendin e parafundit e ka Dukagjini.

E krejt në fund gjendet Feronikeli me 11 pikë të tubuara.