Nataliteti në rënie në Kosovë, ekspertët kërkojnë veprim institucional
Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie të qëndrueshme në vitet e fundit, duke reflektuar ndryshimet socio-ekonomike, migrimin masiv, shtyrjen e martesave dhe orientimin gjithnjë e më të madh të të rinjve drejt karrierës dhe stilit të jetesës urbane.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2024 janë regjistruar 21.487 lindje brenda vendit dhe 10.230 lindje të tjera janë regjistruar jashtë Kosovës. Krahasuar me vitet paraprake, ky numër shënon një trend të qëndrueshëm në rënie.
Në vitin 2023 janë regjistruar 21.654 lindje, në vitin 2022 gjithsej 22.632, ndërsa në vitin 2021 ishin 22.830 lindje. Edhe pse numrat nuk paraqesin ulje drastike nga viti në vit, ekspertët e demografisë paralajmërojnë se nëse nuk merren masa të qarta institucionale, vendi mund të përballet me pasoja të ndjeshme afatgjata.
Profesoresha e Demografisë në Universitetin e Prishtinës, Mimoza Dushi, thotë se kjo rënie nuk është për t’u dramatizuar, pasi është në përputhje me një trend global dhe ndikon nga një sërë faktorësh të natyrshëm për shoqëritë në tranzicion. Ajo thekson se ndryshimi i rolit të femrës në shoqëri, rritja e shkollimit dhe pavarësia ekonomike kanë ndikuar në zvogëlimin e familjeve dhe numrit të fëmijëve.
“Sa më i madh numri i të ardhurave, aq më i vogël numri i fëmijëve. Femra sot është më e shkolluar, më e pavarur dhe më e orientuar drejt karrierës. Ndryshimi i pozitës së saj në familje dhe shoqëri reflekton drejtpërdrejt në vendimet për lindje”, tha Dushi për Radio Kosovën.
Ajo thekson se, për të ruajtur stabilitetin demografik, një çift duhet të lindë të paktën 2.1 fëmijë. “Jemi ende në nivelin e zëvendësimit dhe në krahasim me vendet e tjera evropiane, Kosova ruan një normë më të lartë të lindshmërisë. Nuk kemi hequr dorë nga martesa dhe fëmijët, por nevojitet një përkrahje më e madhe institucionale për familjet,” shton Dushi.
Sipas saj, politika të mirëfillta pro-nataliste mungojnë. “10, 30 apo 40 euro për një lindje nuk janë politika. Politika është kur shteti e merr barrën e edukimit dhe rritjes së fëmijës deri në moshën madhore, ofron shkollim falas dhe leje të paguara për të dy prindërit,” thekson ajo.
Ndërkohë, profesori i sociologjisë, Besim Gallopeni, ka një qasje më kritike. Ai thekson se Kosova tashmë është në një fazë të ndjeshme të rënies demografike dhe e lidh këtë jo vetëm me zhvillimet ekonomike, por edhe me mungesën e politikave publike.
“Shumë të rinj dhe çifte po migrojnë. Ka shtyrje të martesave, ndryshim të vlerave familjare dhe gjithnjë e më shumë çifte heqin dorë nga krijimi i familjes së madhe. Jemi në një fazë ku çdo grua lind më pak se dy fëmijë. Kjo është alarmuese,” tha ai.
Gallopeni shton se, krahas rënies së lindshmërisë, Kosova po përballet edhe me humbje të madhe të popullsisë për shkak të migrimit. “Në pak më shumë se një dekadë, kemi humbur mbi 200 mijë banorë. Pasojat janë të mëdha – mbyllje të shkollave, zbrazje të fshatrave dhe rritje e varësisë nga popullsia e moshuar, që rëndon buxhetin e shtetit,” paralajmëron ai.
Ai i bën thirrje institucioneve të Kosovës që të krijojnë sa më parë një strategji të qartë popullative, duke përfshirë ekspertë të fushës, në mënyrë që të parandalohet degradimi i strukturës demografike të vendit.
Në një kohë kur shumë vende evropiane kanë nisur politika të forta për të stimuluar lindshmërinë, Kosova rrezikon të mbetet pas, nëse nuk krijon një plan afatgjatë për të mbështetur familjet dhe për të ruajtur ekuilibrin demografik të saj.