Vdes aktori dhe profesori i njohur, Enver Petrovci

22.09.2025

Me pikëllim të madh është pritur lajmi për ndarjen nga jeta të aktorit dhe profesorit të shquar, Enver Petrovci, një prej figurave më të rëndësishme të skenës teatrore dhe kinematografisë shqiptare.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka bërë të ditur lajmin e hidhur përmes një komunikate zyrtare, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Petrovci, kolegët, miqtë dhe gjithë publikun që e ka çmuar dhe dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike.

“Teatri Kombëtar i Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Petrovci, kolegëve, miqve dhe gjithë publikut që e ka çmuar dhe e ka dashur veprën e tij artistike dhe pedagogjike”, thuhet në njoftim.

Enver Petrovci ishte i njohur jo vetëm si aktor me dhjetëra role të paharrueshme në teatër, film dhe televizion, por edhe si profesor që ka edukuar gjenerata të tëra aktorësh të rinj, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën kulturore të vendit.

Teatri Kombëtar ka bërë të ditur se informacionet lidhur me ceremoninë e varrimit dhe mbledhjen komemorative do të komunikohen në ditët në vijim.