“BBV Albania 5” nis sot – Emocione, surpriza dhe personazhe VIP, rikthehet spektakli nën drejtimin e Ledion Liços
Nis zyrtarisht sot në ekranin e Top Channel, emisioni që ka thyer rekorde shikueshmërie, Big Brother VIP Albania në edicionin e tij të pestë.
Në një mbrëmje të gjatë, që premton emocione të mëdha, do të ndizen dritat e shtëpisë më të vëzhguar në Shqipëri.
Reality show që mban mbërthyer para ekranit miliona shikues, shqiptarë anë e mbanë botës, vjen nën moderimin e Ledion Liços, ku nuk do të mungojnë dhe analizat e opinionistëve.
Mbrëmjen e ditës së sotme, nën shkëlqimin e dritave, do të hyjnë një nga një banorët VIP, që priten me kureshtje nga publiku shqiptar.
Pas javësh hamendësime, është konfirmuar zyrtarisht konkurrenti i parë i Big Brother VIP Albania 5. Ai është Angelo Haruni, moderator i emisionit Top Talk Economy, në Top Channel.
“Sot po e mbyll këtë kapitull me shumë mirënjohje, sepse nesër hapet një tjetër. Nga nesër, zyrtarisht, do të jem konkurrent në Big Brother VIP Albania 5. Sipas rregullave, menjëherë pas këtij momenti do të hyj në izolim total. Pa telefon, pa kontakt, ashtu siç tashmë ndodhen edhe konkurrentët e tjerë, të izoluar në dhomat e tyre. Nga ky çast, loja nis për të gjithë njësoj.
Në Big Brother nuk shkon një rol, një plan, shkon njeriu. Dhe ajo që do të shihni nuk është versioni i moderuar, por versioni i vërtetë: me gabime, emocione, forcë dhe dobësi. Një version ndryshe nga ai që keni parë deri sot. Shpresoj që kjo mbështetje të më shoqërojë edhe në këtë udhëtim të ri, me synimin për të shkuar deri në fund. Faleminderit për gjithçka. Tani… shihemi brenda shtëpisë”, tha Haruni.
20 dhjetori është fillimi i një sezoni të ri të Big Brother Vip. Moment ky prej të cilit shtëpia më e famshme në Shqipëri, do jetë e vëzhguar 24 orë, live në dy kanalet Big Brothet Vip 1 dhe Big Brother Vip 2 në DigitAlb.
Çdo gjë është gati. Një natë plot surpriza, sot ora 21:00, Big Brother VIP Albania 5, vetëm në ekranin e Top Channel./TopChannel/