Pesë persona kapen me armë gjuetie pa leje në Leposaviq – Policia sekuestron armë dhe municion

01.12.2025

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë aktiviteteve të rregullta në fshatin Berberisht të Leposaviqit, më 30 nëntor 2025, ka hasur pesë persona të cilët po mbanin gjashtë armë gjuetie pa lejet dhe autorizimet e nevojshme.

Sipas policisë, personat janë shoqëruar në Stacionin Policor të Leposaviqit, ku janë intervistuar në praninë e avokatëve dhe më pas janë liruar në procedurë të rregullt.

Prokurori i shtetit është njoftuar për rastin, ndërsa të gjitha armët e gjetura janë sekuestruar dhe ndaj të dyshuarve është iniciuar rasti “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Në kuadër të hetimeve, policia ka sekuestruar pesë pushkë gjuetie, një pushkë të llojit karabinë, gjashtëdhjetë e nëntë fishekë të kalibrit 12 mm të përdorura për armët e gjuetisë, si dhe shtatëmbëdhjetë fishekë të kalibrit 7.64 mm të pushkës karabinë. Po ashtu janë konfiskuar katër rrethatore mbajtëse të fishekëve, dy fletë arme të ish-RSFJ-së dhe një leje gjuetie e lëshuar nga shteti i Serbisë.

Policia e Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit, duke apeluar te qytetarët që të mos dalin në gjueti pa poseduar lejen adekuate dhe dokumentacionin e nevojshëm, me qëllim të parandalimit të incidenteve dhe rritjes së sigurisë në vend.