PSG mposht Bayern Munich dhe kalon në gjysmëfinale të Kupës së Botës për Klube
Paris Saint-Germain ka siguruar një vend në gjysmëfinalen e Kupës së Botës për Klube, pasi ka mposhtur Bayern Munich me rezultat 2-0, në një ndeshje dramatike të zhvilluar në Atlanta, SHBA.
Takimi nisi me ritëm të ngadaltë dhe rastet e para erdhën pas minutës së 20-të. Desire Doue asistoi për Fabian Ruiz, por goditja e këtij të fundit shkoi mbi portë. Në anën tjetër, Bayerni reagoi me një tentim të Michael Olise, por Gianluigi Donnarumma ishte në nivelin e duhur për të ndalur topin.
Në minutën e 32-të, Khvicha Kvaratskhelia provoi të depërtojë në zonën e Bayern, por Manuel Neuer e ndali me sukses. Në fundin e pjesës së parë, Bayerni mendoi se kishte kaluar në epërsi me një gol të Dayot Upamecano, por goli u anulua për pozitë jashtë loje pas rishikimit me VAR. Në të njëjtën pjesë, Jamal Musiala u detyrua të largohej për shkak të një lëndimi serioz, çka ndikoi dukshëm në moralin e ekipit gjerman.
Fund dramatik i pjesës së dytë
Në pjesën e dytë, PSG krijoi më shumë presion. Bradley Barcola pati një rast të artë, por u ndal nga Neuer. Pas tij, Ousmane Dembélé dështoi për pak centimetra të shënojë pranë portës bosh.
Goli i parë erdhi në minutën e 79-të, kur Desire Doue goditi fort në këndin e afërt, duke mposhtur Neuer dhe duke kaluar PSG-në në epërsi. Vetëm pesë minuta më vonë, PSG mbeti me një lojtar më pak pasi Willian Pacho u ndëshkua me karton të kuq për një faull ndaj Leon Goretzka.
Bayern Munich mendoi se barazoi me golin e Harry Kane, por edhe ai u anulua për pozitë jashtë loje, duke çuar në zemërim të madh në pankinën bavareze.
Dy kartonë të kuq për PSG, por edhe një gol tjetër
Në minutat shtesë, drama u rrit. Lucas Hernandez u përjashtua me karton të kuq, duke lënë PSG-në me nëntë lojtarë. Megjithatë, kampionët francezë arritën të shënojnë sërish përmes Dembélé, i cili shfrytëzoi një kundërsulm dhe vulosi fitoren 2-0.
Në sekondat e fundit të lojës, Bayern fitoi një penallti, por pas rishikimit me VAR, gjyqtari Anthony Taylor anuloi vendimin, duke i dhënë fund shpresave të gjermanëve për një rikthim.
PSG në gjysmëfinale
Me këtë fitore të madhe, Paris Saint-Germain siguron kalimin në gjysmëfinale, ku do të përballet me fituesin e sfidës Real Madrid – Borussia Dortmund.
Ndeshja ndaj Bayernit ishte një provë karakteri për PSG-në, që përkundër dy përjashtimeve me karton të kuq, arriti të ruajë epërsinë dhe të sigurojë fitoren në një nga përballjet më emocionuese të turneut deri tani.