Vrasja në Maqitevë për borxhin prej 20€, shtyhet seanca pasi nuk dorëzohet raporti për shëndetin mendor të të akuzuarit

01.03.2022

S.A po akuzohet se vrau Sh.K shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”. Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, njoftoi palët se lënda në fjalë gjendet në Prishtinë, pranë IPFK-së, pasi që sipas kërkesës së mbrojtjes është kërkuar ekzaminimi i të akuzuarit S.A. Tutje, ajo tha se Dr. Ajet […]

Vrasja në Maqitevë për borxhin prej 20€, shtyhet seanca pasi nuk dorëzohet raporti për shëndetin mendor të të akuzuarit Foto: Ilustrim

S.A po akuzohet se vrau Sh.K shkaku i një borxhi prej 20 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Teuta Krusha, njoftoi palët se lënda në fjalë gjendet në Prishtinë, pranë IPFK-së, pasi që sipas kërkesës së mbrojtjes është kërkuar ekzaminimi i të akuzuarit S.A.

Tutje, ajo tha se Dr. Ajet Bunjaku e ka njoftuar gjykatën përmes telefonit më 23 shkurt 2022, se për shkaqe objektive si dhe të pandemisë raporti me shkrim lidhur me ekzaminimin e të akuzuarit nuk është kryer akoma, duke shtuar se të njëjtit do ta njoftojnë gjykatën në një afat të arsyeshëm.

Në këto rrethana, prokurori Metush Biraj propozoi që seanca të shtyhet për ditë tjetër.

I njëjti gjithashtu i dorëzoi gjykatës në kopje të mjaftueshme dëshminë me shkrim të bisedave telefonike dhe sms-ve që i ka zhvilluar S.A me të ndjerin Sh.K, para ngjarjes kritike.

Meqenëse nuk ishte dorëzuar raporti me shkrim i lartpërmendur, gjykatësja Krusha përmes telefonit dhe adresës elektronike e ka njoftuar transportin e të burgosurve që mos ta sjellin të akuzuarin S.A në seancë.

Kështu, gjykatësja Krusha njoftoi se anulohet seanca e 2 marsit, kurse ato të radhës i ka caktuar më 13, 27 dhe 28 prill 2022.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren e ngarkon S.A se privoi nga jeta tani të ndjerin Sh.K, më 26 janar 2020, në kafenenë “Toni” në fshatin Maqitevë të Komunës së Suharekës, pronë e L.A.

Sipas aktakuzës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh prej 20 euro, që ia kishte tani i ndjeri Sh.K vëllait të tij, fillimisht i thotë: “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi L.A e largon nga lokali tani të ndjerin, atëherë i akuzuari pasi është ulur dhe ka qëndruar një kohë të shkurtër në tavolinën tjetër brenda në lokal, derisa tani i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje nga pronari i lokalit për gjestin e bërë, me shpejtësi ngrihet nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari shkon te kamioneta e tij e markës “VW”, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “AK-47”, kalibri 7.62 mm dhe në prezencë të dëshmitarit L.A, i cili përpiqet ta pengojë të akuzuarin, A.K dhe mysafirëve tjerë që kishin dalë jashtë lokalit, e në një distancë të shkurtë shkrep në drejtim të tani të ndjerit Sh.K, i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sëpatës në dorë dhe e godet fillimisht në fytyrë, duke e bërë të rrëzohet në tokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, derisa ishte i rrëzuar, i akuzuari e godet edhe disa herë duke i thënë: “qu t’i q**** shtatë mijë n***, Allahu ta marroftë xhenazen”, ku i shkakton tetë plagë në regjionin e kokës, kraharorit, abdomenit si dhe në krahun dhe kofshën e djathtë, të cilat dëmtime kanë qenë të shoqëruara me thyerje në kokë, shtyllë kurrizore, brinjë, kockat e krahut dhe kofshës së djathtë, dëmtime të rënda të organeve vitale, trurit, mushkërisë së djathtë, mëlçisë, dhe veshkës së djathtë, të përcjella me gjakderdhje masive në kokë, kraharor dhe abdomen, të cilat edhe kanë qenë aty për aty vdekjeprurëse.

Me këto veprime, S.A akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.5 të Kodit Penal, është e dënueshme me dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.

Kurse, sipas dispozitivit të dytë, në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar sikur në dispozitivin e parë, nga data e pavërtetuar, në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm, i akuzuari ka poseduar armën gjysmë automatike të tipit “AK-47”.

Më këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 të Kodit Penal, dënohet me gjobë deri në shtatë mijë e pesëqind euro ose me burgim deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi