William Walker: Misioni im në Kosovë dhe Masakra e Reçakut
Ish-ambasadori i OSBE-së, William Walker, ka ndarë së fundmi përvojat e tij nga misioni verifikues në Kosovë, duke vënë në pah momentet kyçe të punës së tij dhe reagimet e institucioneve ndërkombëtare pas përfundimit të mandatit të tij.
Walker tha se detyra e misionit të OSBE-së ishte përcaktuar qartë: të punohej me ndershmëri dhe sinqeritet. Ai kujtoi një bisedë me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, e cila e kishte vlerësuar lart punën e tij. Sipas Walker-it, asnjëherë pas përfundimit të misionit nuk iu kërkua ndonjë raport apo opinion mbi atë që kishte ndodhur në Kosovë.
“Kur përfundova misionin në Kosovë shkova në Vjenë, shkova në zyrat e OSBE-së, shkova në Uashington dhe asnjëherë, asnjë anëtar i OSBE-së, i selisë kryesore, asnjëherë të vetme, askush në Departamentin e Shtetit amerikan, në asnjë nivel nuk më pyeti asgjë lidhur me misionin tim në Kosovë. Nëse unë ndihesha se kisha bërë punë të mirë apo jo. Ishte shumë e çuditshme”, tregoi ai.
Duke folur për masakrën e Reçakut, Walker tha se mbërriti në vendngjarje vetëm pak orë pas krimit dhe e pa situatën me sytë e tij.
“Ngjarja sapo kishte ndodhur, pak orë më parë dhe nuk pasur kohë që asnjëra palë të bënte ndryshime në vendin e ngjarjes. Në skenën e krimit në atë çka pashë dukej si masakër. Verifikuesit e mi, ata po mbledhin gëzhoja plumbash, po i shikonin kufomat, shihej e qartë se të shtënat kishin ardhur nga sipër luginës. Ishte e qartë ajo që kishte ndodhur, pse e deklarova atë që deklarova, është sepse unë erdha nga shërbimi i jashtëm amerikan nga 35 vite përvojë në Amerikën Latine. Në Europë, diplomacia menaxhohet disi me ndryshe prej asaj se si bëhet në Amerikën Latine”, tha ai, duke shtuar se përvoja e tij e gjatë në shërbimin diplomatik amerikan e ndihmoi të kuptonte situatën dhe të deklaronte atë që kishte parë.
Walker foli edhe për mënyrën se si diplomacia amerikane ndryshon nga ajo europiane.
“Në shërbimin tim diplomatik ka dallime prej atyre zyrtarëve që kanë shërbyer nëpër Londër, Paris e Tokio. Diplomacia është mjaft formale, ka protokolle të cilat nuk mund të shkelën. Në Amerikën Latine unë isha i përfshirë në shumë situata më shumë rrëmuja, ku ambasada amerikane shpesh ishte nën sulme. Ngjarjet që edhe unë i kam përshkruar në libër, shpesh në njëfarë mënyre deklarata ndaj mediave janë më të hapura e më të sinqerta. Sepse nëse kemi parë dhe dëgjuar diçka e ajo është thënë tek mediat”, ka thënë ai.
Këto deklarata të William Walker hedhin dritë të re mbi ngjarjet e rëndësishme që ndodhën në Kosovë në fund të viteve 1990, dhe mbi rolin e tij si një dëshmitar i drejtpërdrejtë i masakrës së Reçakut.