LVV
PDK
LDK
AAK

26 vjet nga Masakra e Reçakut

para 28 dite

Sot shënohet 26-vjetori i Masakrës së Reçakut, një nga ngjarjet më tragjike të historisë së Kosovës.

26 vjet nga Masakra e Reçakut

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak, forcat serbe vranë dhe masakruan 45 civilë shqiptarë të paarmatosur, duke lënë pas një plagë të thellë në kujtesën kolektive të kombit.

Nën patronatin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, sot po mbahen aktivitetet përkujtimore “Ditët e Reçakut”.

  • Në nivel kombëtar, ora e parë mësimore i kushtohet kësaj masakre për të edukuar brezat e rinj rreth kësaj ngjarjeje historike.
  • Homazhet në Kompleksin Memorial dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes kanë nisur në orën 08:30, ndërsa në orën 10:00 krerët e shtetit do të bëjnë nderimet e tyre.
  • Akademia përkujtimore do të mbahet në orën 11:00, ndërsa gjatë pasdites janë paraparë aktivitete të tjera që do të nderojnë viktimat dhe të mbajnë gjallë kujtimin e Masakrës së Reçakut.

Në mëngjesin e 15 janarit 1999, Reçaku u zgjua i rrethuar nga forcat serbe. Sulmet filluan në orën 6:30, kur fshati u bombardua me artileri të rëndë. Më pas, forcat serbe hynë në fshat, duke bastisur shtëpitë dhe masakruar banorët. Kjo ngjarje tronditi mbarë botën dhe nxiti reagimin e fuqishëm të diplomacisë ndërkombëtare.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e cilësoi Masakrën e Reçakut si një krim kundër njerëzimit, duke theksuar brutalitetin e paparë të forcave serbe. Kjo ngjarje përshpejtoi ndërhyrjen ndërkombëtare në Kosovë dhe u bë një pikë kthese në historinë e luftës për liri dhe pavarësi.

Masakra e Reçakut mbetet një dëshmi e planit gjenocidal të ish-regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe një thirrje për drejtësi për të gjitha viktimat e luftës në Kosovë. Kujtimi i kësaj ngjarjeje nuk është vetëm një detyrim ndaj historisë, por edhe një angazhim për të mos lejuar që tmerret e tilla të përsëriten.

Sot, 26 vite më pas, Kosova përkujton jetët e humbura me nderim të thellë dhe rikujton botës se kujtesa është arma më e fortë kundër harresës dhe padrejtësisë.

Etiketat

Ofertat e fundit