4 vetura të vjedhura në Suharekë vetëm për dy muaj

23.06.2021

Mbetet ende shqetësuese fakti se vazhdon të ketë rritje numri i vjedhjeve që ndodhin në Suharekë si dhe në gjithë vendin. Kohëve të fundit në Komunën e Suharekës është rritur edhe numri i vjedhjeve të veturave. Në çdo takim të sigurisë lokale që mbahet me nënkryetaren e Komunës së Suharekës, përfaqësuesve të KFOR-it dhe Policisë […]

4 vetura të vjedhura në Suharekë vetëm për dy muaj Foto: Ilustrim

Mbetet ende shqetësuese fakti se vazhdon të ketë rritje numri i vjedhjeve që ndodhin në Suharekë si dhe në gjithë vendin.

Kohëve të fundit në Komunën e Suharekës është rritur edhe numri i vjedhjeve të veturave.

Në çdo takim të sigurisë lokale që mbahet me nënkryetaren e Komunës së Suharekës, përfaqësuesve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës çdo herë është prezent numri i vjedhjeve, ku vetëm dy javët e para të muajit qershor ndodhën 8 vjedhje.

Ndërsa sa i përket vjedhjeve të veturave, vetëm në muajin maj dhe qershor u vodhën 4 të tilla.

Rasti i fundit që u raportua për vjedhje të veturës, ishte më 11 qershor, ku në fshatin Bllacë të Suharekës rreth orës 07:00 ankuesi mashkull kosovar kishte raportuar se nga persona të pa njohur i është vjedhur vetura e tij në oborrin e shtëpisë së tij.

Poashtu sipas Policisë vetura e vjedhur ka qenë me targa vendore.

Ndërsa rasti tjetër ndodhi më 8 qershor, në mëngjes ishte vjedhur një veturë e tipit Volkswagen Vito me targa të shtetit slloven në fshatin Peqan të Suharekës.

Rasti e kishte konfirmuar edhe nga komandanti i policisë në Suharekë, i cili ka bërë të ditur se vetura është gjetur afër shkollës së fshatit Peqan dhe se nga e njëjta është vjedhur vetëm katalizatori.

Gjithashtu më 6 maj të këtij viti u raportua për një rast të vjedhjes së veturës në Buzhalë të Suharekës.

Rreth orës 02:15 të 6 majit në Buzhalë të Suharekës ishte vjedhur një veturë e tipit Golf V.

Në po të njëjtin muaj u raportua edhe për një rast të tillë, ku në fshatin Sllapuzhan më 2 maj, sipas Policisë së Kosovës ankuesja femër kosovare ka raportuar se të dyshuar të panjohur i kanë vjedhur veturën e saj Renault Twingo, me targa lokale.

Ndërsa pas një pune intenzive të Policisë së Kosovës, më 5 maj është gjetur vetura afër vendit të quajtur Biraq të cilës i është vjedhur vetëm katalizatori.