Mbrojtja e Shefki Spahiut kërkon që vepra të cilësohet si vrasje gjatë tronditjes së rëndë mendore

16.02.2021

Gjykata Themelore në Prizren më 24 shktator e kishte dënuar me burgim të përjetshëm ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova. Spahiu gjithashtu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit, Jetmir Aliaj në vendin e punës, në një kazino […]

Mbrojtja e Shefki Spahiut kërkon që vepra të cilësohet si vrasje gjatë tronditjes së rëndë mendore Foto: Ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren më 24 shktator e kishte dënuar me burgim të përjetshëm ish-rreshterin e Policisë së Kosovës, Shefki Spahiu, i akuzuar për vrasje të rëndë dhe manipulim me prova.

Spahiu gjithashtu ka qenë i dyshuari kryesor dhe i vetëm për vrasjen e 32 vjeçarit, Jetmir Aliaj në vendin e punës, në një kazino të Suharekës më 17 mars të 2019.

Mirëpo me këtë vendim të gjykatës së shkallës së parë nuk po pajtohet mbrojtja e të dënuarit Spahiu, ku me anë të ankesës në Gjykatën e Apelit ka propozuar që ky vendim të anulohet dhe të bëhet ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje gjatë tronditjes së rëndë mendore.

Mbrojtësi i të akuzuarit Spahiu, avokati Emrush Kastrati para kolegjit të Apelit ka theksuar se gjykata e shkallës së parë nuk e kishte aprovuar asnjë propozim të provave nga ana e mbrojtjes.

Ai më tutje ka thënë se është shkelur e drejta e barazisë së palëve në procedurë sepse nuk mjafton vetëm të dëgjohen palët dhe të vendoset në bazë të provave të vetëm njërës palë.

Sipas mbrojtjes, dënimi me burgim të përjetshëm nuk ka qenë në proporcion me veprën e kryer dhe gjykata nuk e ka marr parasysh asnjë rrethanë lehtësuese, ndërsa sa i përket qëllimit të dënimit ai ka thënë se dënimi me burgim të përjetshëm nuk paraqet rehabilitim për personin që ai më pas të kthehet në shoqëri dhe kështu nuk mund të arrihet qëllimi i dënimit.

Lidhur me ankesën e mbrojtjes, prokurori i Apelit Haxhi Dërguti ka kërkuar që të refuzohet si e pabazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet ndërsa ka deklaruar se kjo prokurori me kohë i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës.

Këtë qëndrim të Prokurorisë së Apelit e ka mbështetur edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar Arben Ramadani duke shtuar se aktgjykimi i shkallës së parë ka qenë i drejtë.

Ndryshe, më 31 maj 2019, Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj zyrtarit policor Shefki Spahiu, me arsyetimin se i njëjti, më 17 mars 2019, në Suharekë, në një kazino e cila gjendet në rrugën e Reshtanit, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore me dashje dhe në mënyrë dinake, privon nga jeta punëtorin e kazinos, Jetmir Aliaj.