Jeton Rrakaqi: Punimet në ”Sheshin e Qytetit”, ‘pandemia e dytë’ e bizneseve të Suharekës

29.12.2020

Pandemia me COVID-19 pa dyshim që ka qenë goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës e shumë vendeve të tjera. Mirëpo, përveç pandemisë me COVID-19 edhe punimet në ”Sheshin e Qytetit” nga pronarët e bizneseve që ndodhën në atë zonë po konsiderohen si pandemi e dytë. Kryesuesi i asambleistëve të Partisë Demokratike dega në Suharekë, […]

Jeton Rrakaqi: Punimet në ”Sheshin e Qytetit”, ‘pandemia e dytë’ e bizneseve të Suharekës Foto: Ilustrim

Pandemia me COVID-19 pa dyshim që ka qenë goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës e shumë vendeve të tjera.

Mirëpo, përveç pandemisë me COVID-19 edhe punimet në ”Sheshin e Qytetit” nga pronarët e bizneseve që ndodhën në atë zonë po konsiderohen si pandemi e dytë.

Kryesuesi i asambleistëve të Partisë Demokratike dega në Suharekë, Jeton Rrakaqi në një intervistë për SuharekaOnline ka thënë se qyteti i Suharekës ka pasur nevojë për një shesh, por jo si ky që është duke u punuar tani, ai madje punimet e sheshit i ka quajtur ”pandemia e dytë” për bizneset që ndodhën në atë zonë, pasi që edhe vet operon në atë zonë me biznes, Rrakaqi tutje thotë se dëmet për bizneset në atë vend kanë qenë fatale.

Ai gjithashtu ka thënë se mjetet që janë planifikuar për rregullimin e ”Sheshit të Qytetit” janë shumë për një qytet si Suhareka.

E përveç pakënaqësive që ka në vonesën e punimeve dhe kostos së lartë, Rrakaqi thotë se ”Sheshi i Qytetit” është devijuar.

”Është deviju rruga, janë deviju drunjët dekorativ të cilët kanë pas me u konzervu, ato nuk janë askund” ka thënë Rrakaqi për SuharekaOnline.

Jeton Rrakaqi thotë se për heqjen e drunjëve dekorativ në këtë pjesë ka shpresuar që Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapsinor do të reagojë, por diçka e tillë nuk ka ndodhur.

Përveç punimeve në ”Sheshin e Qytetit” Rrakaqi thotë se si PDK-Suharekë ka reaguar edhe për Gurthyesit në Komunën e Suharekës ku tregon se qytetarët e komunës janë rrezikuar shumë prej tyre.

”Ne si grup parlamentar në Asamblenë Komunale kemi shty dy, tri herë një vendim, me të cilin komuna ka dashtë me lëshu tokën në shfrytëzim, po më në fund ata i kanë bërë pazaret politike… edhe ka kaluar ajo pikë” tha ai.

Gjithashtu Rrakaqi tregon se si grup parlamentar kanë reaguar edhe për Shtëpinë e Kulturës ”Ukë Bytyçi” që së fundmi është anuluar kontrata për fazën e dytë të punimeve, ku tregon se anulimi i kësaj kontrate i tërheq 2 milionë e 480 mijë euro.

Temë tjetër që ka reaguar PDK-Suharekë, Rrakaqi thotë se ka qenë edhe Stadiumi i Qytetit, për të cilin janë dhënë shumë para e punimet nuk janë bërë siç duhet.

”A ka më të rëndë se me pas një klub futbolli që parashihet me garu në arenën ndërkombëtare, ndërsa kushtet e infrastrukturën nuk e ka të rregulluar ende siç duhet, edhe pse parat janë shpenzu, ku janë investuar rreth gjysmë milioni dhe situata është e njejta siç ka qenë” tha Rrakaqi.

Por, të gjitha këto reagime Rrakaqi thotë se ende nuk kanë trokitur në derën e duhur edhe pse ka shpresuar që prokuroria apo policia do të ndërmarrin masa.

I pyetur se si e kanë pritur kandidaturën e Enver Hoxhajt për kryeministër, Rrakaqi ka thënë se zgjedhja e Hoxhajt për kryeministër do të ishte interes për të gjithë qytetarët e Suharekës.

” I kisha ftu të gjithë qytetarët pa dallim partie që të votojnë Enver Hoxhajn për kryemnistër sepse është në interes të qytetarëve të Suharekës që ta kenë një kryeministër për herë të parë, sepse zotri Hoxhaj është një kalibër i përmasave ndërkombëtare, duke filluar nga shkollimi, menaxhimi dhe lidershipi. . . Edhe mendoj që nga largimi i tij si ministër i jashtëm ne kemi pasur shumë ngecje në raportin ndërkombëtar, zotri Hoxhaj është profil i përmasave ndërkombëtare edhe për neve thjeshtë është nderë dhe privilegj” tha Rrakaqi.

Tutje, Jeton Rrakaqi thotë se Partia Demokratike në Suharekë nuk ka ende ndonjë emër zyrtar të kandidatëve për deputet, duke shtuar se janë të gatshëm të ofrojnë deputetë me profile profesionale të të gjitha fushave./SuharekaOnline/

Gazetare, Eurolinda Zenelaj