Dhuna në familje, 51 raste të raportuara në Policinë e Suharekës gjatë 2020-ës

06.01.2021

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por në mbarë botën. Problemet e ndryshme mes familjarëve përveç dhunës psiqike, shumë herë përfundojnë edhe me dhunë fizike. Raportimet për rastet e dhunës në familje janë të shpeshta, e sidomos në vitin që lamë pas kur edhe […]

Dhuna në familje, 51 raste të raportuara në Policinë e Suharekës gjatë 2020-ës Foto: Ilustrim

Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga çështjet më shqetësuese, jo vetëm në Republikën e Kosovës, por në mbarë botën.

Problemet e ndryshme mes familjarëve përveç dhunës psiqike, shumë herë përfundojnë edhe me dhunë fizike.

Raportimet për rastet e dhunës në familje janë të shpeshta, e sidomos në vitin që lamë pas kur edhe ishim të izoluar si pasojë e situatës me pandeminë COVID-19, e cila ka ndikuar që të rritet numri i rasteve të tilla.

Në mbledhjen e njëmbëdhjetë (11) të Asamblesë Komunale e cila ishte mbajtur në fund të muajit nëntor në vitit 2020, nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka në fjalën e saj ndër tjerash kishte thënë se nga muaji janar (2020) deri në nëntor (2020) në Stacionin Policor në Suharekë ishin raportuar 45 raste të dhunës në familje.

Nënkryetarja e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka

Gjithashtu, në një prononcim për SuharekaOnline lidhur me rastet e dhunës në familje ka folur edhe Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj, ku ka treguar për numrin e rasteve që u raportuan në stacionin e policisë në Suharekë nga muaji janar i vitit 2020 deri në muajin dhjetor të po të njejtit vit.

Komandanti i Policisë në Suharekë, Kapiteni Afrim Sylaj

Sylaj ka bërë të ditur se gjatë vitit 2020 në Stacionin Policor në Suharekë janë raportuar 51 raste të dhunës në familje.

Disa nga rastet e dhunës në familje të raportuara në Stacionin Policor në Suharekë

Njëri nga 51 rastet e dhunës në familje është edhe rasti i cili ishte raportuar gjatë muajit shkurt të vitit 2020, ku ishte bërë e ditur se një i dyshuar pas një mosmarrëveshje e kishte kërcënuar babain e tij duke i thënë ”Unë kam me ta pre kokën me thikë apo me ndonjë dru”.

Atë kohë, policia e kishte kontaktuar personin e dyshuar  i cili është shoqëruar në stacionin policor.

Një tjetër rast i dhunës në familje që është raportuar në policinë e Suharekës ishte në fillim të muajit dhjetor të vitit të kaluar ku bëhej e ditur se i dyshuari nga fshati Nishor, kishte ushtruar dhunë fizike tek fëmijët e tij të cilët si pasojë kishin marrë lëndime trupore, me vendim të prokurorit personi në fjalë ishte dërguar në mbajtje.

Ndërsa, një rast i kërncënimit me armë e ka mbyllur vitin 2020 në Komunën e Suharekës, ku sipas policisë ishte bërë e ditur se një i dyshuar e kishte kanosur të birin e tij dhe i njëjti kishte ekspozuar një armë.

Sipas policisë ishte bërë e ditur se i dyshuari është shoqëruar në stacionin policor ku nga personi në fjalë ishte konfiskuar një armë, me vendim të prokurorit rasti i lartëcekur ka shkuar në procedurë të rregullt.