Presidentja Osmani: Procesi i Vettingut kthen besimin e qytetarëve në drejtësi

24.10.2022

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se procesi i vettingut do ta rikthejë besimin e qytetarëve në organet e drejtësisë. Duke folur për këtë çështje gjatë adresimit të saj në “Javën e të drejtave të viktimave të krimit”, Osmani ka thënë se në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjithë akterët relevantë. “Konsideroj që është […]

Presidentja Osmani: Procesi i Vettingut kthen besimin e qytetarëve në drejtësi Foto: Ilustrim

Presidentja Vjosa Osmani, ka deklaruar se procesi i vettingut do ta rikthejë besimin e qytetarëve në organet e drejtësisë. Duke folur për këtë çështje gjatë adresimit të saj në “Javën e të drejtave të viktimave të krimit”, Osmani ka thënë se në këtë proces duhet të marrin pjesë të gjithë akterët relevantë.

“Konsideroj që është tejet e rëndësishme që të gjithë akterët relevantë të japin kontributin e tyre për një proces sa më të mirëfilltë. Vetëm kur i bashkojmë forcat tona dhe vetëm kur edhe institucionet e drejtësisë japin kontribut substancial në këtë proces, mund të presim sukses për vendin tonë”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se Vettingu është një ndër proceset më të rëndësishme në rrugën e ndërtimit të një sistemi të drejtësisë, i cili punon me integritet dhe profesionalizëm dhe i cili e kthen besimin e qytetarëve në drejtësi.

Hovenier kërkon veprime konkrete për rastet e dhunës në familje dhe dhunës seksuale

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffery Hovenier gjatë adresimit të tij në “Java për të drejtat e viktimave të krimit”, ka thënë se kjo javë duhet të shërbejë për të ndërmarrë të gjitha veprimet për të ofruar mbrojtje dhe drejtësi për viktimat e krimit.

Ai nuk i ka kursyer lëvdatat për institucionet e Kosovës për hapat e ndërmarrë, por ka kërkuar nga organet e drejtësisë që rastet e dhunës në familje dhe ato seksuale të trajtohen me prioritetm transmeton RTK.

“Shpresojmë që kjo javë jo vetëm që e rrit ndërgjegjësimin, por edhe të jetë një thirrje për veprim. Duam që ta shfrytëzojmë këtë javë për të reflektuar mbi përpjekjet tona, por edhe që të ndërmarrim veprimet e nevojshme që të gjitha viktimat të kenë  shërbimet e duhura dhe të kenë drejtësi”, ka theksuar Hovenier.

Ai është shprehur krenar për rolin e ambasadës amerikane në këtë drejtim. “Jemi krenarë për rolin tonë, pasi institucionet e Kosovës garantimin e të drejtave të viktimave e kanë kodifikuar në Kodin e ri të Procedurës Penale. Gjithashtu Qeveria e Kosovës do të zgjerojë kompensimin për një kategori më të madhe të viktimave të krimit dhe kjo tregon përkushtimin thelbësor të  Kosovës për mbrojtjen dhe kompensimin e viktimave”, ka shtuar Hovenier.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi ka bërë thirrje për bashkëpunim profesional  dhe institucional për të mbrojtur viktimat e krimit, derisa kryetar i Gjykatës Supreme, Enver Peci theksoi se po vazhdojnë punën në unifikimin e praktikës gjyqësore dhe nxjerrjen e udhëzuesve për politikë ndëshkimore nga ana e Gjykatës Supreme.
 


Osmani: Dora e ligjit të bie pamëshirshëm mbi kriminelët

Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar nga organet e drejtësisë që java për të drejtat e viktimave të krimit të shërbejë jo vetëm si moment reflektimi por edhe si nxitje e madhe që të gjitha institucionet të punojnë së bashku me përkushtim të shtuar në parandalimin dhe ndëshkimin pakompromis të kryerësve të veprave kundër integritetit seksual dhe çdo vepre tjetër penale.

Ajo një gjë të tillë e bëri gjatë adresimit në konferencën “Java për të drejtat e viktimave të krimit moment reflektimi i zinxhirit institucional” që po mbahet në Prishtinë në organizim të zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe mbështetur nga ambasada e SHBA-së. Ajo theksoi se dora e ligjit duhet të bie pamëshirshëm mbi kryerësit e veprave penale dhe se vetëm në këtë mënyrë mund të kthehet besimi i qytetarëve të organet e drejtësisë.

Presidentja ka adresuar edhe kritika, teksa ka thënë se sistemi i drejtësisë ka dështuar në trajtimin e rasteve të dhunimit dhe krimit të organizuar. “Gjatë muajve të kaluar vendi ynë është tronditur nga shumë histori shokuese të dhunimeve dhe ngacmimeve seksuale, ku viktima në disa raste ishin edhe të miturat. Ndonëse vetë fakti se kanë ndodhur këto krime është mjaftueshëm i rëndë për ta alarmuar secilin prej nesh, ajo që e bëri akoma më të rëndë këtë situatë ishte mungesa e reagimit efektiv të institucioneve në adresim të këtyre veprave penale. Sot jam këtu për të bërë thirrje publike për një rol shumë më proaktiv të institucioneve tona në parandalimin, hetimin, ndjekjen penale si dhe gjykimin më efektiv të veprave penale kundër integritetit seksual”, ka theksuar Osmani.

Ajo ka thënë se në takimet me krerët e institucioneve të drejtësisë ka adresuar pikërisht çështjen e dështimeve dhe defekteve sistemike që janë vënë në pah nga analizat dhe vlerësimet e bëra tash e disa vjet me radhë.

“Institucionet duhet të punojnë më shumë në parandalimin e këtyre akteve kriminale, të cilat përveç që shkelin ligjin i shkelin edhe vlerat tona themelore, familjare dhe shoqërore. Duhet të punojmë në vetëdijësimin dhe informimin e publikut lidhur me dhunimet dhe ngacmimet seksuale dhe mbi të gjitha se si mund t’i mbrojmë fëmijët tanë dhe gjithë qytetarët tanë“, ka shtuar Osmani, transmeton RTK.

Ngritja e kapaciteteve institucionale në parandalim, në ndjekje dhe ndëshkim të kryerësve të këtyre veprave të tilla, duke filluar nga qendrat për punë sociale, institucionet arsimore e deri tek policia, prokuroria dhe gjykatat është shumë e rëndësishme sipas presidentes Osmani.

Ajo ka thënë se defekt tjetër në sistemin e drejtësisë është se përdoren standarde të vjetra, duke mos u përdorur koncepti modern, teksa në rastin e dhunimit të 11-vjeçares ka thënë se ka munguar reagimi i duhur i institucioneve. Një qasje e tillë sipas presidentes nuk i mbron viktimat, por i inkurajon kriminelet dhe i trimëron ata për të vazhduar me dhunime.