Osmani: Gjermania aleate strategjike në rrugën euroatlantike të Kosovës

24.04.2024

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Jörn Rohde, ku kanë diskutuar për zhvillimet aktuale politike dhe të sigurisë në vend.

Osmani: Gjermania aleate strategjike në rrugën euroatlantike të Kosovës Foto: Ilustrim

Në njoftimin për media nga Presidenca, thuhet se presidentja Osmani, ndër të tjera theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili krijon mundësi të mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve tanë pa dallim.

Në këtë kontekst, Osmani e ka falënderuar ambasadorin Rohde për mbështetjen e Gjermanisë në procesin e votimit në Asamblenë Parlamentare.

“Të dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe për intensifikimin e bashkëpunimit, ndërmjet të dy shteteve”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, presidentja Osmani, e cilësoi Gjermaninë si aleate strategjike dhe mbështetëse të fuqishme e Kosovës në rrugën euroatlantike.