Oda e Infermierëve: Nga 1 janari 2026 hyn në fuqi Rregullorja e re për Licencim dhe Ri-licencim
Oda e Infermierëve të Kosovës (OIK) ka njoftuar të gjithë anëtarët se nga data 1 janar 2026 do të hyjë në fuqi zbatimi i plotë i Rregullores për Licencim dhe Ri-licencim, si dhe Rregullores për Edukim të Vazhdueshëm Profesional (EVP), të miratuara më 28 shkurt 2025.
Në njoftimin zyrtar, OIK rikujton se të gjithë anëtarët janë të obliguar të njihen me përmbajtjen e këtyre rregulloreve dhe të respektojnë dispozitat përkatëse që rregullojnë procesin e licencimit, ri-licencimit dhe edukimit të vazhdueshëm profesional.
Sipas nenit 9 të Rregullores për Licencim dhe Ri-licencim, anëtarët që nuk përmbushin kriteret e EVP-së për ri-licencim, por që kanë licencë të skaduar për periudhë 5–10 vjet, duhet të kryejnë stazh praktik 3-mujor në profilin përkatës. Ndërsa, ata që kanë licencë të skaduar për më shumë se 10 vjet, duhet të kryejnë stazh 6-mujor.
Pas përfundimit të stazhit, kandidatët i nënshtrohen verifikimit të aftësive teorike dhe praktike, ndërsa ata që kalojnë me sukses testimin, marrin Certifikatën për Ri-licencim, të nënshkruar nga Kryetarja e OIK.
Në Nenin 18, rregullohet edhe procesi për ata që aplikojnë me vonesë për licencim ose ri-licencim. Nëse anëtari nuk i nënshtrohet procesit të licencimit apo ri-licencimit brenda afateve të përcaktuara (5 vite pas provimit shtetëror ose 6 muaj pas skadimit të licencës), ai duhet të kalojë sërish në procesin e vlerësimit profesional ose stazhit praktik.
Po ashtu, sipas Neni 20 të Rregullores për EVP, çdo anëtar është i obliguar të marrë pjesë në aktivitetet e edukimit profesional dhe të fitojë së paku 15–25 pikë çdo vit. Pikët e fituara mbi 30 brenda një viti nuk mund të bartën për vitin pasues.
OIK thekson se zbatimi i plotë i këtyre rregulloreve do të fillojë më 1 janar 2026, ndërsa të gjithë infermierët dhe profesionistët shëndetësorë janë të ftuar të informohen me dokumentet përkatëse në uebfaqen zyrtare të Odës: www.oik-ks.org.
Rregullorja për Licencim dhe Ri-licencim: Kliko këtu
Rregullorja për EVP: Kliko këtu