Një plagë e hapur: Familjarët e të zhdukurve në Kosovë vazhdojnë të presin përgjigje
Më shumë se një çerek shekulli ka kaluar që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por plaga e shumë familjeve ende nuk ka filluar të shërohet.
Kjo për shkak se ende nuk dihet fati i 1643 personave të zhdukur gjatë konfliktit.
Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur fajëson drejtpërdrejt shtetin serb për moshapjen e arkivave që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij misteri. Një nga kërkesat kryesore të Kosovës është që Serbia të publikojë listën me 16 varreza masive që dyshohet se përmbajnë trupat e shumë shqiptarëve të zhdukur.
Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar, thekson se përkundër përpjekjeve të vazhdueshme, Serbia vazhdon të pengojë procesin e kërkimit të të zhdukurve. “Çështja e personave të zhdukur me forcë vazhdon të jetë një plagë e hapur për familjet dhe shoqërinë tonë”, tha Gara. Ai shtoi se pavarësisht progresit të arritur në zbulimin e varrezave masive në Kosovë, mungesa e bashkëpunimit nga ana e Serbisë po pengon zbardhjen e fatit të shumë të zhdukurve.
Gara thekson se përkundër takimeve të shumta me homologët serbë, nuk ka pasur asnjë përparim të dukshëm në këtë drejtim. “Serbia vazhdon të mos ndajë arkivat e tyre, për më keq vazhdon me qasje politizuese”, shtoi ai.
Në anën tjetër, Komisioni Qeveritar ka arritur të identifikojë dhe të gërmojë në disa varreza masive në Kosovë, ku janë gjetur mbetjet e shumë viktimave. Megjithatë, këto përpjekje janë të pamjaftueshme për të dhënë përgjigje të plota për familjarët e të zhdukurve.
Kjo situatë vazhdon të jetë një shqetësim i madh për komunitetin ndërkombëtar. Mungesa e drejtësisë për familjarët e të zhdukurve është një pengesë e madhe në procesin e pajtimit dhe ndërtimit të një të ardhme paqësore në rajon.