Në mesin e 160 të vrarëve në burgun e Dubravës, 7 prej tyre ishin nga Suhareka

19.05.2021

Bëhen 22 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës, e që cilësohet si njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq. 22 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë. Masakra e Burgut të Dubravës […]

Në mesin e 160 të vrarëve në burgun e Dubravës, 7 prej tyre ishin nga Suhareka Foto: Ilustrim

Bëhen 22 vjet nga masakra në Burgun e Dubravës, e që cilësohet si njëra nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit Sllobodan Millosheviq.

22 vjet më parë, brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999.

Në mesin e 160 të vrarëve ishin edhe 7 qytetarë nga Komuna e Suharekës si dhe mbi 20 që i kanë shpëtuar këtij krimi:

1. Gazmend Jahir Kolgeci (Vraniq),
2. Ilir Halil Luzha (Vraniq),
3. Nexhat Shaqir Kokollari (Savrovë),
4. Sahit Fejzë Krasniqi (Savrovë),
5. Fazli Sahit Kabashi (Mohlan),
6. Kadri Rrahman Morina nga Rreshtani,
7. Ali Hysen Gashi nga Shiroka
(I plagosur, masakruar rëndë dhe i zhdukur, në Spitalin e Prishtinës);

Nuk duhet neglizhuar një detaj se më 16 maj 1999 ditë e dielë ishte liruar Ukshin Hoti pas 5 vitesh burgosje, praktikë që asnjëherë nuk kishte ndodhur që dikush të lirohet ditën e dielë.

Tri ditë më vonë, më 19 maj pasdite, aeroplanët e NATO-s bombarduan së pari pavijonin C, pas pak edhe pavijonin e dytë me radhë i cili ishte i zbrazur. 

Fillimisht bombardimet kishin filluar nga ora 10 në pavijonin C, duke vazhduar në atë B1.

Meqë pushteti serb kishte informata se do të bombardohet ky kompleks, nga burgjet e ndryshme të Serbisë e të Kosovës ishin sjellur të burgosurit politikë shqiptarë.

Qëllimi ishte i qartë: që ata të vriten nga bombat e NATO-s dhe nga vetë forcat serbe, për të fajësuar pastaj aleancën perëndimore.

Brenda Burgut të Dubravës gjendet një pllakë përkujtimore me emrat e të gjithë atyre që janë vrarë në këtë masakër, që konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha të regjimit serb të kryer ndaj shqiptarëve.