Islanda rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

para 34 dite

Në ditën e tretë të Konferencës së Sigurisë në Mynih, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim bilateral me kryeministren e Islandës, Kristrún Frostadóttir.

Islanda rikonfirmon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Gjatë këtij takimi, kryeministrja Frostadóttir rikonfirmoi mbështetjen e Islandës për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sipas njoftimit zyrtar, kryeministri Kurti e uroi homologen e tij islandeze për detyrën e re dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Islandës ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e saj integruese në organizata ndërkombëtare. Kurti theksoi se Kosova, me progresin e saj demokratik dhe rritjen ekonomike gjatë katër viteve të fundit, është një shembull i zhvillimit dhe demokracisë që ecin paralelisht.

Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale dhe zhvillimet në kontinentin evropian. Të dy palët përshëndetën nënshkrimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë mes Kosovës dhe shteteve anëtare të Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), ku përfshihet edhe Islanda. Kjo marrëveshje u cilësua si një mundësi e rëndësishme për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimeve tregtare.

Kosova e nënshkroi këtë marrëveshje më 22 janar në Davos të Zvicrës, duke hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet tregtare me Zvicrën, Norvegjinë, Islandën dhe Lihtenshtajnin. Ky hap pritet të sjellë përfitime të mëdha për prodhuesit dhe bizneset vendore, duke fuqizuar lidhjet ekonomike të Kosovës me vendet e EFTA-s.

Etiketat

Ofertat e fundit