[VIDEO] Shqiptarët përfshihen në përleshje me karabinierët në Itali – arrestohen dy persona

24.06.2025

Një mbrëmje e tensionuar është regjistruar të shtunën në qytetin italian Santeramo in Colle, ku dy shtetas shqiptarë, njëri 46 dhe tjetri 25 vjeç, janë arrestuar nga karabinierët për dëmtim prone, rezistencë dhe dhunë ndaj një zyrtari publik.

Ngjarja nisi në zonën e njohur Corso Tripoli, ku një nga të arrestuarit, në gjendje të dukshme të dehur, bllokoi trafikun dhe theu xhamat e një makine të parkuar përpara një bari. Në përpjekje për të qetësuar situatën, forcat e rendit u përballën me rezistencë të dhunshme.

Njëri prej ushtarëve u godit me grusht në fytyrë, çka e detyroi përdorimin e sprejit me piper dhe pajisjeve mbrojtëse. Situata u përshkallëzua edhe më tej pas mbërritjes së personit të dytë, i cili gjithashtu sulmoi karabinierët me grushte dhe shuplaka.

Vetëm pas mbërritjes së përforcimeve, të dy shtetasit shqiptarë u neutralizuan dhe u dërguan në kazermë. Sipas autoriteteve italiane, ndaj tyre është marrë masa e arrestit shtëpiak, ndërsa hetimet për incidentin vazhdojnë.

Rasti ka ngjallur reagime të ashpra në komunitetin lokal, për shkak të natyrës së dhunshme të ngjarjes dhe sulmit ndaj zyrtarëve të rendit.