Itali, arrestohet 30-vjeçari shqiptar: Kapet me 5 kg kokainë dhe 22 kg kanabis

30.06.2025

Një tjetër rast i përfshirjes së shtetasve shqiptarë në trafikun e drogës ka dalë në pah në Itali, ku një 30-vjeçar shqiptar është arrestuar nga Karabinierët e njësisë operative të Xhenovës, pas një operacioni të mirëorganizuar të ndjekjes dhe hetimit.

Gjithçka nisi kur efektivët vunë re lëvizje të dyshimta nga një automjet në qarkullim, me shoferin – një burrë i ri – që po shfaqte sjellje të çuditshme dhe vëzhgonte vazhdimisht zonën përreth. Kjo tërhoqi vëmendjen e forcave të rendit, të cilat nisën menjëherë një operacion të fshehtë vëzhgimi dhe ndjekjeje.

Pas një pune të kujdesshme, karabinierët arritën të identifikojnë vendbanimin e tij në qytetin Vigevano. Më pas, pas orësh pritjeje dhe monitorimi, i dyshuari u ndalua në momentin që po dilte nga apartamenti i tij. Gjatë kontrollit fizik, tek ai u gjet një pako me rreth 58 gramë kokainë.

Kontrolli më i thelluar në banesë solli zbulimin e sasisë së madhe të drogës që ai mbante të fshehur. Karabinierët gjetën afro 5 kilogramë kokainë, nga të cilat 3 kilogramë ishin ende në blloqe të paprekura, ndërsa pjesa tjetër ishte ndarë në pako të vogla, të gatshme për shitje në tregun e shumicës. Droga ishte fshehur në mënyrë të sofistikuar, mes jastëkëve të divanit dhe nën tavolinën e kuzhinës.

Gjithashtu, në frigoriferin e banesës u zbuluan 22 kilogramë kanabis (hashash), të ndarë në 122 blloqe, të cilat gjithashtu ishin të përgatitura për shpërndarje. Përveç drogës, u sekuestruan edhe 7 mijë euro para të gatshme dhe materiale për paketim të lëndëve narkotike.

Autoritetet italiane kanë nisur procedurat ligjore ndaj 30-vjeçarit shqiptar, i cili tashmë përballet me akuza të rënda për trafik droge dhe mbajtje të lëndëve narkotike me qëllim shpërndarjen.