Itali, 29-vjeçari shqiptar përfundon në pranga, akuzohet për tentim vrasje të bashkëshortes

16.12.2024

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në qytetin e Rimini-t, ku një 29-vjeçar me kombësi shqiptare është arrestuar pasditen e djeshme me akuzën e tentativës së vrasjes së bashkëshortes.

Sipas informacioneve të siguruara, gruaja, e cila gjendet aktualisht në spitalin e Rimini-t, është qëlluar me brutalitet në pjesën e pasme të kokës me një objekt të fortë. Përkundër rrethanave të rënda, jeta e saj nuk është në rrezik, por mbetet nën vëzhgim të mjekëve.

Ngjarja e tmerrshme ka ndodhur në banesën e çiftit, ku gruaja, e cila mbante në krahë vajzën e tyre 14 muajshe, është sulmuar papritmas nga bashkëshorti i saj. Pas një fyerje të përsëritur, ai e ka qëlluar me brutalitet në kokë dhe në këmbë.

Falë një ndërhyrje të shpejtë të policisë, 29-vjeçari është arrestuar në flagrancë. Operacioni është koordinuar nga zv/prokurorja Annadomenica Gallucci, e cila ka hapur një çështje penale për vrasje të mbetur në tentativë.

Në këto momente, policia po punon për të zbuluar motivet e këtij akti të dhunshëm. Ajo që është e sigurt është se ky incident ka tronditur të gjithë komunitetin dhe ka ngjallur shqetësim të thellë për dhunën në familje.