Pesë të arrestuarve u caktohet masa e paraburgimit për planifikim vrasjeje të rëndë

24.02.2025

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, duke caktuar masën e paraburgimit për pesë të dyshuarve, D.R., F.Q., Sh.K., D.M. dhe R.B.

Ata dyshohen për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” në lidhje me veprën penale “Veprimet përgatitore për vrasje të rëndë”.

Sipas njoftimit të Gjykatës, gjyqtari i procedurës paraprake ka vendosur që secilit prej të dyshuarve t’i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjykata vlerësoi se caktimi i masës së paraburgimit në këtë çështje penale është masë adekuate dhe e domosdoshme, sepse nëse të pandehurit D.R., F.Q., SH.K., D.M. dhe R.B. lihen në liri, ekziston rreziku i ikjes së tyre, duke pasur parasysh rrethanat dhe mënyrën se si janë kryer veprat penale, mund lehtë të arratisen për t’i ikur përgjegjësisë penale,” thuhet në njoftim.

Gjykata gjithashtu vlerësoi se lirimi i të pandehurve mund të ndikonte në prova dhe dëshmitarë, si dhe rrezikonte përsëritjen e veprave penale.

“Gjykata konsideron se pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre është tejet e lartë, andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale, pengimin e rrjedhës normale të kësaj procedure penale si dhe pengimin e përsëritjes së veprave penale,” njofton Gjykata.

Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.