Një muaj paraburgim për serbin e akuzuar për krim të organizuar dhe narkotikë, i bëhen pavlefshme 30 mijë eurot e dorëzanisë
Gjykata Themelore e Prishtinës ka vendosur një muaj paraburgim për M.M., shtetas i Serbisë. Ai ngarkohet me veprën penale krim i organizuar dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve.
Gjyqtari i procedurës paraprake e aprovoi kërkesën e Prokurorisë Speciale që atij t’i hiqet edhe masa e dorëzanisë.
“Të pandehurit M.M i hiqet masa e dorëzanisë dhe caktohet se vlera e mjeteve monetare në shumë prej 30,000.00 (tridhjetëmijë) euro, e deponuar më datë 27.03.2023 në emër të dorëzanisë, të derdhet në Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Gjykata thotë se Policia gjeti te ai “një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjellura narkotike, paisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg”, dhe ia sekuestroi.
“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri M.M, duke vepruar si pjesë e grupit të organizuar dhe të strukturuar kriminal, me dashje ka vepruar në grup kriminal të organizuar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, janë marrë me prodhimin dhe kultivimin e substancave narkotike të cilat i përpunojnë dhe më vonë i shesin, po ashtu edhe kanë blerë me qëllim të shitjes të substancave narkotike të llojit marihuan dhe kokainë, ashtu që me rastin e kontrollit të zbatuar nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës me urdhëresë të gjykatës, tek i pandehuri janë gjetur një sasi e substancave narkotike, bimë të mbjellura narkotike, paisje për përgatitjen e tyre për ti plasuar në treg, e të cilat janë sekuestruar nga policia me rastin e zbatimit të urdhër kontrollit në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të pandehurve, me këtë ekziston dyshimi mirë i bazuar se ka kryer veprën penale Krim i organizuar lidhur me veprën penale Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotropçe, analoge apo veglave, paisjeve apo materijaleve narkotike”, thuhet në njoftim.
Gjykata vlerësoi se e caktimi i masës së paraburgimit është “masë e domosdoshme”.
“Rreziku i ikjes i referohet faktit se i pandehuri ka qenë nën masën e dorëzanisë, i cili e ka dorëzuar edhe dokumentin e udhëtimit – pasaportën sipas vendimit të gjykatës, por i njëjti është ndaluar në pikën kufitare më datë 27.09.2024 rreth orës 23:00 duke hyrë në Kosovë nga territori i Serbisë, pa dokument të udhëtimit – pasaportë, pasi të njëjtit i është ndaluar në gjykatë sipas vendimit të Gjykatës, e që me këtë nëse i njëjti lihet në liri paraqet rrezik real për ikjen e tij, sidomos në territorin e shtetit të Serbisë, pasi i njëjti ka nënshtetësi serbe, andaj edhe rreziku i ikjes, zvarritja e procedurës penale e potencialisht edhe përsëritja e veprave penale ekziston, ngase i njëjti ka vepruar në grup kriminal të organizuar, atëherë gjykata vlerësoj se kërkesa e prokurorisë është mjaftueshëm e bazuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.