Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për sulm kundër pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan
Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar të martën masë paraburgimi prej një muaji ndaj një personi me inicialet L.M, i dyshuar për përfshirje në sulmet kundër pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan, më 29 maj të vitit 2023.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekzistojnë dyshime të bazuara se i pandehuri ka kryer disa vepra penale, përfshirë: “bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “rrezikimi i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “sulm ndaj personit zyrtar” dhe “pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Prokuroria ka deklaruar se L.M ka vepruar së bashku me persona të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, gjatë përleshjeve të asaj dite afër objektit të Komunës së Zveçanit. Nga përplasjet u plagosën 93 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR), si dhe disa protestues serbë.
Ngjarjet e majit 2023 shpërthyen pas kundërshtimit të serbëve lokalë ndaj hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut – komuna me shumicë serbe, ku zgjedhjet lokale të atij viti ishin bojkotuar nga komuniteti serb.
NATO dhe partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar vazhdimisht që autorët e dhunës të dalin para drejtësisë.
Kujtojmë se në gusht të këtij viti, i pandehuri tjetër me inicialet M.A ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës me katër vjet e 11 muaj burgim, pasi kishte pranuar fajësinë për dhunën ndaj ushtarëve të KFOR-it gjatë të njëjtave ngjarje.
Përshkallëzimi i situatës në veri të Kosovës pati sjellë edhe masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, të cilat, sipas vlerësimeve, kanë shkaktuar dëme prej miliona eurosh në buxhetin e shtetit. Këto masa kanë filluar të hiqen gradualisht prej majit të këtij viti.