Gjykata vendos arrest shtëpiak për Nikçin e Shalakun
Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur të mos e aprovojë kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit ndaj kryeinspektorit të Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku. Në vend të kësaj, gjykata ka caktuar masën e arrestit shtëpiak për të dy të dyshuarit.
Foto: Ilustrim
Nikçi dhe Shalaku ishin ndaluar të enjten nga Policia e Kosovës, me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës zyrtare. Ata dyshohen për kryerjen e veprave penale të “Keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”. Gjatë 48 orëve të ndalimit, të dy të dyshuarit u intervistuan nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.
Pas seancës gjyqësore, avokati i Hekuran Nikçit, Arianit Koci, ka deklaruar se klienti i tij po përballet me një proces të padrejtë. Sipas tij, Nikçi nuk ka të bëjë me rastin për të cilin po hetohet. Koci ka theksuar se do të ankohet ndaj masës së arrestit shtëpiak.
“Klienti im po përballet me një proces të padrejtë. Ai nuk ka të bëjë me këtë rast dhe ne do të ankohemi ndaj vendimit të gjykatës,” tha avokati Koci.
Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj Nikçit dhe Shalakut, duke argumentuar se ekziston rreziku i ikjes dhe ndërhyrjes në hetime. Megjithatë, gjykata nuk e ka pranuar këtë kërkesë dhe ka vendosur për një masë më të butë, atë të arrestit shtëpiak.