Fillon rishtazi gjykimi ndaj të akuzuarve në rastin e 400 kilogramëve kokainë
Gjykimi për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve drogë ka rifilluar të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për shkak të ndryshimeve në përbërjen e trupit gjykues.
Gjyqtari Ngadhnjim Arrni, duke informuar për këto ndryshime, tha se “Tash e tutje do jem kryetar i trupit gjykues, pas pensionimit të gjyqtarit Musa Konxheli.”
Ai gjithashtu njoftoi se gjykatësja Valbona Musliu-Selimaj është avancuar në Apel dhe është zëvendësuar nga gjykatësi Rrahman Beqiri, ndërsa anëtari tjetër i trupit gjykues është gjykatësi Valon Kurtaj.
Në këtë rast të kokainës, të akuzuar janë Izet Sheqiri, pronari i kompanisë “MC FOOD”, dhe katër të tjerë: Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi dhe Fehmi Bytyqi. Me pajtimin e palëve, akuza u konsiderua e lexuar dhe të akuzuarit u deklaruan të pafajshëm.
Pas kësaj, prokurori special Valdet Gashi konfirmoi se “qëndroj në tërësi pranë fjalës hyrëse të dhënë në shqyrtimin gjyqësor para trupit gjykues paraprak.”
Avokati Besnik Berisha, mbrojtësi i Izet Sheqirit, gjatë fjalës hyrëse theksoi se “Izet Sheqiri nuk është kriminel” dhe paralajmëroi mundësinë që ai të mos jetë më mbrojtës i tij.
Ai shtoi se Sheqiri dhe bashkëpunëtorët e tij nuk ishin në dijeni për drogën në kamion dhe përmendi se “vetëm kur nga punëtorët ishte shfaqur nevoja për ndërrim të një pajisje, Policia zbuloi drogën.”
Berisha deklaroi se klienti i tij ka bashkëpunuar plotësisht me Prokurorinë, duke vënë në dispozicion të gjitha pajisjet dhe dokumentet e kërkuara.
Ai kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga paraburgimi dhe masa t’i zëvendësohet me një më të butë, duke garantuar për sjelljen e tij të mëtejshme.
Mbrojtësja e Faton Vrajollit, avokatja Nora Grajçevci-Mehmeti, tha se e mbështet fjalën e avokatit Berisha dhe kërkoi gjithashtu zëvendësimin e paraburgimit për klientin e saj.
Edhe avokatët e të tjerëve të akuzuar, përfshirë Xhafer Maliqin dhe Dafina Osmanin, shprehën besimin se do të dëshmojnë pafajësinë e klientëve të tyre gjatë procesit gjyqësor.
Megjithatë, trupi gjykues refuzoi kërkesën për lirimin nga paraburgimi të të akuzuarve Izet Sheqiri dhe Faton Vrajolli, duke deklaruar se “në të ardhmen do të vlerësohet nëse do të pushonin shkaqet për ekzistimin e masës së paraburgimit”./Telegrafi/