Motrat Mustafa në Itali për 28 Nëntor – mysafir i veçantë Bali Muharremaj
Motrat Mustafa, një nga emrat më të dashura të muzikës popullore shqiptare, kanë sjellë një frymë të veçantë për festën e flamurit, këtë herë në Itali.
Dyshja e suksesshme, e përbërë nga Safete dhe Sahide Mustafa, kanë ndarë me ndjekësit e tyre në Instagram emocionet e një mbrëmje të veçantë të organizuar në Reggio Emilia.
“Sot në Reggio Emilia, Itali, për nder të festes së flamurit, festojmë së bashku me të gjithë bashkatdhetarët tanë. Kemi edhe një mysafir shumë të veçantë, kryetarin e Therandës, Bali Muharremaj,” kanë shkruar Motrat Mustafa në profilin e tyre.
Këngëtaret e njohura, me rrënjë nga fshati Mushtisht i Therandës, një zonë e njohur për traditën e pasur muzikore, kanë treguar edhe një herë lidhjen e tyre të fortë me vendlindjen dhe me komunitetin shqiptar në diasporë. Prania e kryetarit të Suharekës në këtë event ka shtuar edhe më tej rëndësinë e kësaj feste, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe festive.
Motrat Mustafa, me zërat e tyre dhe interpretimet e veçanta, vazhdojnë të jenë një nga emrat më të përfolur të muzikës shqiptare. Ato kanë arritur të bashkojnë breza të tëra me këngët e tyre, duke u bërë një simbol i kulturës dhe traditës shqiptare.