Bota e lashtë dhe shoqëritë matriarkale

09.02.2024

Nga: Philip Jamieson

Bota e lashtë dhe shoqëritë matriarkale Foto: Ilustrim

Një temë e përbashkët në mitologjinë e kulturave të lashta, është besimi në ekzistencën e një Epoke të Artë kur njerëzit jetonin të pakorruptuar, në paqe dhe në harmoni, duke përjetuar një zhvillim dhe stabilitet shoqëror. Disa studiues besojnë se në themel të kësaj Epoke të Artë në parahistorinë njerëzore, ishte shoqëria matriarkale.

Një shoqëri ku sundonin gratë; një shoqëri e mbështetur në vlerat femërore, deri në shembjen e atij rendi nga ardhja e rendit patriarcal (pushtetit të burrave), diku midis dhjetë mijë deri në pesë mijë vjet më parë, ku burra dhe zotat e tyre meshkuj ishin shtylla e shoqërive.

Për shumë njerëz, kjo Epokë e Artë e Matriarkatit është më shumë se një mendim i dëshiruar i lëvizjes feministe, një mit tashmë i debatuar që njëherësh i shërbeu interesave të një vizioni të veçantë feminist, por ku mungojnë dëshmitë reale, se kështu ka ndodhur vërtet.

Dr. Heide Göttner-Abendroth, thotë se matriarkati nuk do të ketë kurrë një përkufizim të saktë nëse dikush kërkon tek ajo një shoqëri kur gratë marrin rolin “drejtues” të grupit – sikurse shohim sot në shoqëritë patriarkale. Ajo argumenton se rendi matriarkal nuk do të bazohet në dominimin nga ndonjë gjini, por te vlerat e nënës që do të shfaqej si kujdestare dhe edukuese e komuniteteve të orientuara nga negociatat dhe ku ekziston barazi për gratë dhe burrat.

Ajo ka gjetur “prova të bollshme” për ekzistencën e shumë shoqërive matriarkale që gjenden sot në Azi, në Amerikë dhe në Afrikë. Të gjitha, vë në dukje ajo, janë “shoqëri gjinore egalitare dhe shumë prej tyre janë tërësisht të barabarta”, me “asnjë hierarki, klasë dhe as dominim të një gjinie mbi tjetrën”.

Shumica e akademikëve i përjashtojnë shoqëritë egalitare nga koncepti i “matriarkisë”. Sipas mendimit tim, ata e kanë gabim. Një studim i vitit 2015 mbi bashkësitë bashkëkohore të gjahtarëve (në Kongo dhe Filipine), zbuloi gjithashtu se ato kishin struktura shoqërore egalitare. Në fakt, ky studim ka konfirmuar vetëm disa gjetje të mëparshme.

Dr Peter Gray ka komentuar: “Gjatë shekullit XX-të, antropologët zbuluan dhe studiuan dhjetëra shoqëri të ndryshme gjahtarësh në pjesë të ndryshme të botës, që ishin pothuajse të paprekura nga ndikimet moderne. Kudo, në Afrikë, në Azi, në Amerikë Jugore apo gjetkë, këto shoqëri kishin shumë karakteristika të përbashkëta. Në secilën prej tyre, etika kulturore mbizotëruese ishte ajo që theksonte autonominë individuale, metodat jodrejtuese të rritjes së fëmijëve, mospërdorimin e dhunën, ndarjen, bashkëpunimin dhe vendimmarrjen konsensuale. Vlera e tyre thelbësore, e cila mbështeste të gjithë pjesën tjetër, ishte ajo e barazisë së individëve”.

Më e rëndësishmja: studimi i vitit 2015 mbështeti përparësitë evolucionare që shoqëritë e lashta të gjahtarëve të gëzonin në mënyrë të ngjashme me strukturat sociale egalitare, duke siguruar “kontekstin selektiv për rrjetet sociale të zgjeruara, kulturën e grumbullimit dhe bashkëpunimin midis individëve pa lidhje gjaku mes tyre”.

Sipas mendimit tim, komunitetet e gjahtarëve kishin shumë të ngjarë të ishin egalitarë, po kështu edhe rendi matriarkal. Në mbështetje të këtij konkluzioni, Dr. Simon Butler ka vërejtur se “dominimi i dukshëm i përfaqësimit të femrës në artin parahistorik, është bazuar te një dominim apo fuqi femërore në shoqëri, me ekzistencën e shoqërive martriakale përpara shfaqjes së rendit patriarkal”.

Në mesin e këtij arti parahistorik janë gjetur më shumë se 200 përfaqësime të grave, në ato që zakonisht përshkruhen si figurat e Venusit. Të gjetura kryesisht në Evropë dhe që datojnë në përgjithësi që nga epoka e Paleolitit, rreth 40 mijë vjet më parë, Butler thotë se ato “janë interpretuar ndryshe, si simbolet e pjellorisë, hajmalive të fatit, imazheve të perëndeshave, priftërinjve, adhuruesve, paraardhësve ose sundimtareve matriarkale”.

Pra, a ishte arti i pikturave në shpella pjesë e rendit matriarkal? Po, kjo mbështetet edhe nga hulumtimet që kanë sugjeruar, se gratë mund të jenë përgjegjëse për artin e lashtë të shpellës. Një studim i Dr. Dean Snow krahasoi madhësinë e duarve dhe gjatësitë e gishtërinjve dhe hodhi poshtë supozimin tradicional se arti i shpellës është prodhuar kryesisht – në mos ekskluzivisht nga burrat. Në fakt, Snow zbuloi se pikturat janë prodhuar kryesisht nga femrat. Ngjashëm, edhe prodhimi i mjeteve të gurit, në përgjithësi, është supozuar të jetë aktivitet ekskluzivisht mashkullor në komunitetet e lashta. Megjithatë, në fillim të vitit 1991, Dr. Joan Gero përfundoi se gratë në parahistori “dyshohet se kanë prodhuar po aq mjete guri sa edhe burrat”. Ky përfundim është mbështetur nga një studim më i fundit i Universitetit të Floridës, për një komunitet etiopian ku u zbulua se gratë dominonin në prodhimin e veglave prej guri, dhe ata supozojnë se kjo ka ndodhur edhe në parahistori. Edhe pse asnjëri prej këtyre studimeve në vetvete nuk na tregon natyrën e strukturave gjinore të komuniteteve të grumbulluesve prehistorikë, secili prej tyre flet për pjesëmarrjen e femrave në jetën ekonomike, shoqërore dhe kulturore të këtyre komuniteteve, pikërisht në fushat që tradicionalisht janë kuptuar se kanë qenë një domen vetëm i burrave. Të marra së bashku, ato sugjerojnë më së paku një strukturë sociale egalitare në këto komunitete. /Marrë me shkurtime nga Ancient Origins/Përkthyer në shqip nga: bota.al/