Stadiumi i ri i Suharekës merr lejen ndërtimore, së shpejti nisin punimet për projektin sipas standardeve të UEFA-s

05.06.2026

Një nga projektet më të rëndësishme sportive në Suharekë ka marrë dritën e gjelbër për realizim. Stadiumi i ri i qytetit është pajisur me leje ndërtimore nga Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis, duke hapur rrugën për nisjen e punimeve në muajt e ardhshëm.

Sipas dokumenteve zyrtare, stadiumi do të ndërtohet sipas standardeve të UEFA-s dhe do të ketë kapacitet prej 6,500 ulësesh të mbuluara. Projekti është rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe Komunës së Suharekës.

Leja ndërtimore është lëshuar pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe konstatimit se parcela e paraparë për ndërtim është e destinuar për aktivitete sportive dhe plotëson kushtet e nevojshme ligjore.

Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të krijojë kushte moderne për zhvillimin e ndeshjeve dhe aktiviteteve sportive, duke e pozicionuar Suharekën si një nga qendrat më të rëndësishme të futbollit në vend.

Projekti konsiderohet një investim madhor për sportin lokal dhe një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës sportive në komunë.