Sot ditë zie në Kosovë

17.04.2024

Sot Kosova është në zi. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e ka shpallur 17 prillin ditë zie në kujtim të grave dhe vajzave të vrara në Kosovë, si rezultat i dhunës në baza gjinore.

Sot ditë zie në Kosovë Foto: Ilustrim

“Zija shtetërore do të jetë gjatë ditës së mërkurë, ndërkaq Protokolli i Shtetit ngarkohet që t`i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij vendimi”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Si rrjedhojë shumë aktivitete kulturore e sportive të parapara për sot janë shtyrë në shenjë respekti për ditën e zisë.

Dy gra janë vrarë brenda kësaj jave në vendin tonë. Rasti i pari ndodhi në Ferizaj, ku ish-bashkëshorti dyshohet se privoi nga jeta gruan 21-vjeçe, derisa rasti i dytë ndodhi në Pejë, ku bashkëshorti dyshohet se vrau gruan.

Krerët e institucioneve e kanë vlerësuar situatën alarmante dhe kanë kërkuar bashkërendim për veprime urgjente për ndaljen e këtij fenomeni që ka tronditur opinionin në Kosovë.