KRU “Hidroregjioni Jugor” nis aksione për shkyçje dhe ndalim të keqpërdorimit të ujit

13.06.2026

KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A. në Prizren ka bërë të ditur se ekipet e saj të kontrollës po vazhdojnë aksionet në terren edhe gjatë fundjavës, me fokus në shkyçjen e konsumatorëve që kanë obligime të papaguara, si dhe në parandalimin e keqpërdorimit të ujit të pijes.

Sipas njoftimit zyrtar, aksionet përfshijnë identifikimin dhe eliminimin e lidhjeve ilegale në rrjetin e ujësjellësit, me qëllim mbrojtjen e sistemit dhe garantimin e furnizimit të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

Apel për pagesë dhe përdorim të përgjegjshëm

Kompania u ka bërë thirrje konsumatorëve që të përmbushin në kohë detyrimet financiare dhe të përdorin ujin e pijes në mënyrë të përgjegjshme, duke theksuar se kjo është e domosdoshme për stabilitetin e shërbimit publik.

Mundësitë e pagesës

Qytetarët mund t’i kryejnë pagesat përmes:

Arkave të kompanisë (08:00 – 19:00 gjatë ditëve të javës dhe 08:00 – 16:00 të shtunën)

Institucioneve mikrofinanciare të autorizuara

Platformës online E-HRJ, e cila funksionon 24/7

Nga kompania është theksuar se këto masa synojnë përmirësimin e shërbimit dhe ruajtjen e burimeve të ujit të pijes për të gjithë konsumatorët.