Kosova shënon sukses me përfundimin e dy programeve me FMN-në, rritje ekonomike ndër më të lartat në Evropë
Prishtinë – Në një konferencë të përbashkët për media, Qeveria e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) shënuan përfundimin e suksesshëm të dy programeve dyvjeçare, duke theksuar stabilitetin makroekonomik dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi përfundimin e Programit të Aranzhimit për Gatishmëri (SBA) me vlerë 100 milionë euro dhe Programit të Resiliencës dhe Qëndrueshmërisë (RSF) me një vlerë rreth 80 milionë euro. Murati theksoi se Kosova ishte shteti i parë në rajon që përfitoi nga instrumenti RSF, duke mundësuar lansimin e ankandeve për energji të ripërtëritshme dhe finalizimin e Ligjit për Energji të Ripërtëritshme.
SBA, në anën tjetër, kontribuoi në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përshpejtimin e reformave, duke mundësuar rritje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmbushja e objektivave do të sigurojë që Kosova të përfitojë edhe 26 milionë euro shtesë nga këto programe.
Shefi i Misionit të FMN-së në Kosovë, David Amaglobeli, përgëzoi Qeverinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës (BQK) për progresin e arritur. Ai theksoi stabilitetin makroekonomik të vendit, duke vlerësuar rritjen e lartë ekonomike të Kosovës, e cila për vitin 2024 pritet të jetë ndër më të lartat në Evropë.
Amaglobeli veçoi rritjen e punësimit dhe pagave, uljen e inflacionit në 1.6%, si dhe uljen e borxhit publik nën nivelin 17%. Ai gjithashtu theksoi stabilitetin e sektorit financiar dhe rritjen e transparencës nga BQK.
Guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, konfirmoi performancën e lartë të institucionit, duke siguruar stabilitet financiar dhe duke realizuar objektivat strukturore dhe indikative.
Të tre zyrtarët shprehën mirënjohje për bashkëpunimin e suksesshëm dhe theksuan se ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen.