Dehari thërret vazhdimin e Seancës Konstitutive më 9 shtator
Kryesuesi i Seancës Konstitutive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, ka njoftuar se vazhdimi i Seancës Konstitutive do të mbahet më 9 shtator, në orën 11:00.
Dehari, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se e ka parë si lajm të mirë arritjen e marrëveshjes ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Megjithatë, ai ka theksuar se ende nuk ka qartësi të plotë nëse ekziston numri i nevojshëm i deputetëve për konstituimin e të gjitha institucioneve.
“Deri atëherë pres që kjo marrëveshje të shoqërohet me përgjegjësi konkrete dhe me gatishmëri të deputetëve për t’i përmbushur detyrimet e tyre kushtetuese”, ka shkruar Dehari.
Ai ka bërë thirrje që procesi të mos zvarritet më tej, duke theksuar se vendi nuk ka nevojë për krizë të re politike apo për një proces të ri zgjedhor.
“Kosova nuk ka nevojë për një tjetër zvarritje, as për një tjetër krizë dhe aq më pak për një proces të ri zgjedhor”, ka deklaruar Dehari.
