PDK këmbëngul për seancën konstituive: “Nesër në 11:00 do të jemi në sallë”
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, Avni Dehari, që nesër, më 18 gusht, në orën 11:00, të thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Foto: Ilustrim
Në kërkesën e saj, PDK i ka rikujtuar Deharit se roli i tij është procedural dhe i përkohshëm, me qëllim mundësimin e zhvillimit të seancës dhe konstituimit të Kuvendit.
Sipas PDK-së, kryesuesi i seancës nuk ka mandat për të vendosur politikisht nëse dhe kur duhet të vazhdojë seanca, ndërsa roli i tij duhet të ushtrohet në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.
“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka bërë të ditur se deputetët e saj do të jenë të pranishëm në sallë nesër në orën 11:00, duke kërkuar vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit.
