Pas Telekomit, paralajmërohen masa edhe ndaj ndërmarrjeve të tjera publike

22.02.2020

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkarkuar bordin e Telekomit të Kosovës. Shkarkimi i bordit të Telekomit të Kosovës është bërë me arsyetimin se nuk është përmbushur plani i biznesit, janë krijuar shpenzime të tepërta, punësime, gradime pa kriter, etj. Pas këtij vendimi, Avdullah Hoti, zv.kryeministri i parë, kishte thënë se ky është “vetëm […]

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti ka shkarkuar bordin e Telekomit të Kosovës.

Shkarkimi i bordit të Telekomit të Kosovës është bërë me arsyetimin se nuk është përmbushur plani i biznesit, janë krijuar shpenzime të tepërta, punësime, gradime pa kriter, etj.

Pas këtij vendimi, Avdullah Hoti, zv.kryeministri i parë, kishte thënë se ky është “vetëm fillimi”.

Ndërsa Oda Ekonomike shprehet skeptike për ‘kthjellje’ të ndërmarrjeve publike, ndërsa, Klubi i Prodhuesve të Kosovës deklaron se duhen reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike.

E derisa përfaqësues të shoqërisë civile, shprehen për KosovaPress, se vendimet e fundit të Qeverisë së re për shkarkimin e bordit të Telekomit, janë të ngutshme, pa u formuar ndonjë komision qeveritar ose parlamentar, Qeveria paralajmëron masa edhe ndaj kompanive të tjera publike.

Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës për KosovaPress tha se secila qeveri që ka ardhur deri më sot në pushtet, kanë ardhur me vullnet dhe premtim se do të merren me ndërmarrjet publike, por në fund ka dalur që në shumë rrethana ka qenë shpenzim shumë i madh i energjisë për secilën qeveri.

Kreu i OEK thotë po ashtu se qeveria e re duhet të ketë një plan, për këto kompani të cilat mbijetojnë dhe janë bërë barrë për Qeverinë.

“Jam skeptik për ‘kthjellje’ të ndërmarrjeve publike. Duhet ristrukturim i qartë, vendime të guximshme për ulje të shpenzimeve operative, që nuk mund të ndodhin edhe pa prekje të interesave të ndryshme që janë në këto ndërmarrje publike, qoftë edhe numrit të të punësuarve. Dhe nuk e di sa kjo qeveri mund të merr vendime të tilla, për shkak se aty ka një sensitivitet të lartë që lidhet edhe me numrin e punëtorëve dhe që lidhet normalisht me mënyrën se qysh kanë funksionuar këto ndërmarrje deri tash”, thotë Rukiqi.

Kreu i OEK thotë se Tel ekomi i Kosovës mbetet një ‘elefant i madh në dhomë’ për qeverinë, sa i përket adresimit të problemeve të mëdha në këtë kompani.

Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, thotë për KosovaPress, se duhet reforma radikale në aspektin e funksionimit të ndërmarrjeve publike.

Panxha thotë se duhet vullnet politik për vendimmarrje, që të zgjidhen njerëz të duhur në udhëheqjen e këtyre ndërmarrjeve dhe mos të ketë punësime politike, përderisa kërkon që përveç bordit, në Telekom nevojite edhe një menaxhment profesional.

“Nuk e di se si është bilanci i gjendjes së Telekomit, një gjë është e ditur se aty punojnë shumë më shumë njerëz se që kanë nevojë. Pa marrë parasysh se sa rriten çmimet, kompania nuk mund të jetë profitabile në qoftë se kemi numër më të madh të punëtorëve sesa që nevojitet. Aty duhet një reformim, një menaxhment profesio nal, jo i ndikuar politikisht që kjo ndërmarrje të kthjellet dhe të kthehet të operon me profit”, thotë Panxha.

Ndërsa Drejtori ekzekutiv në ‘Çohu’, Arton Demhasaj thotë për KP, se të gjitha bordet kanë qenë me lidhje politike, edhe shpeshherë joprofesioniste.

Ndërsa, ministrja e Ekonomisë, Rozeta Hajdari ka thënë se do të ndërmarrin masa edhe ndaj kompanive të tjera publike, pasi që janë duke analizuar raportet e Zyrës së Auditorit dhe sugjerime të tjera.

Lëvizja Vetëvendosje në programin e saj ekonomik në zgjedhjet e tetorit, ka paraparë marrjen nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës dhe do ta ketë përgjegjësinë ekskluzive për investimet në rritjen e vlerës së “Trepçës”, KEK-ut, Telekomit dhe Postës.

Po ashtu, Vetëvendosje ka paraparë që Agjencia Kosovare e Privatizimit të shuhet dhe asetet e saj t’i kalojnë Fondit Sovran.