OVL e UÇK-së në Mushtisht reagon pas dëmtimit të tabelës me emrat e dy dëshmorëve: Kërkon identifikimin e përgjegjësve

1 orë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së – Nëndega në Mushtisht ka reaguar pas heqjes, hedhjes dhe dëmtimit të tabelës rrugore që mban emrat e dy dëshmorëve të kombit, duke e cilësuar këtë veprim si të turpshëm dhe të papranueshëm.

Në reagimin publik, OVL e UÇK-së në Mushtisht shpreh indinjatën dhe shqetësimin për këtë rast, duke theksuar se një veprim i tillë përbën mungesë respekti ndaj sakrificës së dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Sipas organizatës, dyshohet se veprimi është kryer nga një individ privat dhe se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë kompani punëkryese.

OVL e UÇK-së i ka bërë thirrje Policisë së Kosovës që të ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e personave përgjegjës dhe marrjen e masave ligjore ndaj tyre.

Po ashtu, organizata ka kërkuar nga Kryesia e Fshatit Mushtisht që të angazhohet për zbardhjen e rastit dhe rikthimin e tabelës në vendin e saj.

Në fund të reagimit, OVL e UÇK-së ka theksuar se respektimi i dëshmorëve është obligim moral, kombëtar dhe institucional, duke përfunduar me mesazhin: “Emrat e dëshmorëve nuk hiqen, nuk hidhen dhe nuk harrohen!”.