Presidenti i Izraelit mandaton rivalin e Netanyahut, Gadi Eisenkot, për formimin e qeverisë së re

21 orë

Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka mandatuar të shtunën Gadi Eisenkotin, rivalin kryesor të kryeministrit Benjamin Netanyahu, për të provuar formimin e qeverisë së re, pas zgjedhjeve të 27 tetorit që nuk prodhuan një shumicë të qartë parlamentare.

Eisenkot, ish-shef i ushtrisë izraelite, udhëheq bllokun opozitar kundër Netanyahut, i cili po përpiqet të mbajë pushtetin pasi koalicioni i tij fetaro-nacionalist humbi shumicën në zgjedhje, ndonëse mbeti blloku më i madh në parlament.

Megjithatë, formimi i një shumice për Eisenkotin mbetet i vështirë, pasi blloku i tij ka refuzuar të bashkëpunojë me partitë arabe, të cilat mund t’i siguronin numrat e nevojshëm për krijimin e qeverisë.

Partitë arabe, të pakënaqura me politikat e Netanyahut dhe aleatëve të tij të ekstremit të djathtë, e kanë propozuar Eisenkotin gjatë konsultimeve me presidentin Herzog.

Pas këtij zhvillimi, Netanyahu ka bërë thirrje për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, duke paralajmëruar se një qeveri opozitare e mbështetur nga partitë arabe do të përbënte rrezik për sigurinë dhe të ardhmen e Izraelit.

Ai ka akuzuar opozitën se po përgatitet të formojë qeverinë me mbështetjen e partive arabe, të cilat i ka lidhur me mbështetjen e Hamasit.

“Ky është momenti për unitet. Ky është vullneti i popullit, kjo është nevoja e momentit”, ka deklaruar Netanyahu, duke shtuar se një qeveri e mbështetur nga këto parti do ta rrezikonte ekzistencën e Izraelit.

Formimi i qeverisë së re pritet të jetë sfidues, pasi rezultati i zgjedhjeve ka krijuar një ngërç politik dhe asnjëri prej blloqeve nuk ka siguruar një shumicë të qëndrueshme parlamentare.