Shitjet online nën lupën e inspektorëve, mbi 24 kontrolle në Kosovë

2 orë

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) po vazhdon inspektimet ndaj bizneseve që operojnë online, me fokus në kontrollin e produkteve që transportohen drejt konsumatorëve.

Në këtë aksion, IQMT është duke bashkëpunuar me Policinë e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës (ATK) dhe Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), për të mbikëqyrur shërbimet postare në të gjithë territorin e vendit.

Deri më tani, përmes 10 ekipeve inspektuese janë realizuar mbi 24 inspektime, gjatë të cilave janë evidentuar raste të mungesës së kuponëve fiskalë, deklaracioneve për prejardhjen e produkteve dhe dokumentacionit përcjellës.

IQMT ka bërë të ditur se subjekteve përkatëse u është dhënë afat për të prezantuar dokumentacionin e nevojshëm. Në rast të mosplotësimit të kërkesave ligjore, ndaj tyre mund të ndërmerren masa, përfshirë sekuestrimin e produkteve dhe shqiptimin e gjobave.

Kontrollet përfshijnë gjithashtu verifikimin e faqeve online të bizneseve, reklamave të produkteve dhe trajtimin e ankesave të konsumatorëve.

Aktivitetet inspektuese janë shtrirë edhe në komunat e rajonit të Dukagjinit, përfshirë Klinën, Istogun, Deçanin, Junikun, Rahovecin, Malishevën, Suharekën dhe Dragashin.

IQMT ka theksuar se këto aktivitete synojnë forcimin e mbikëqyrjes së tregut, mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së drejtë në Kosovë.