Prokuroria Speciale pushon hetimet ndaj Faton Pecit dhe Fitore Pacollit,Peci paralajmëron padi ndaj zyrtarëve të LDK-së
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për pushimin e hetimeve ndaj Faton Pecit dhe Fitore Pacollit, të cilët ishin hetuar nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim të ndikimit, lidhur me ndarjen e granteve.
Sipas aktvendimit, nuk janë siguruar prova të mjaftueshme që do të krijonin bazë për vazhdimin e ndjekjes penale ndaj tyre.Pas këtij vendimi ka reaguar Faton Peci, i cili e ka cilësuar pushimin e hetimeve si përgjigje ndaj akuzave dhe sulmeve publike me të cilat, sipas tij, është përballur gjatë dy viteve të fundit.
Peci ka paralajmëruar se zyrtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët kishin ngritur kallëzimin penal, si dhe palët e tjera të përfshira, do të përballen me padi për deklarim të rrejshëm.
Ai ka theksuar se puna e tij institucionale ka qenë gjithmonë e ndershme dhe se ndarja e granteve është bërë mbi bazën e meritokracisë.
Në fund, Peci ka falënderuar qytetarët dhe mërgatën për mbështetjen e vazhdueshme, duke ritheksuar përkushtimin e tij për të punuar në shërbim të Kosovës.
